Gramsh, rrëshqitja e tokës shemb një shtëpi, rrezikohen edhe 60 të tjera
Gramsh – Një shtëpi është shembur dje në fshatin Kalaj të rrethit të Gramshit për shkak të rrëshqitjes së dheut. Sipas të dhënave, aktualisht gjenden nën kërcënimin e shembjes së tyre edhe 60 shtëpi të tjera të komunës Kukull. Prandaj kryetari i komunës, Luan Kokia, ka hedhur alarmin duke lajmëruar strukturat përkatëse që të merren masa për evakuimin e zonës dhe të banorëve, me qëllim shmangien e pasojave negative të kësaj ngjarjeje të mundshme. Dukuria e rrëshqitjes së dheut, shoqëruar me shembje shtëpish, u ndesh edhe një javë më parë në komunën Synej të Kavajës, ku u rrënuan 7 shtëpi dhe banorët u evakuuan nga shtëpitë e tjera që arritën të mbeteshin në këmbë. Problemi më i madh aty ishte se e gjithë zona përreth paraqitej në gjendje emergjence, pasi toka mund të hapej gjithandej, gjë që rrezikon të ndodhë edhe në rastin konkret me komunat e Gramshit. Prandaj evakuimi i njerëzve u bë menjëherë që të mos ndodhte asgjë në komunën Synej e kjo pritet të realizohet edhe në komunën Kukull të rrethit të Gramshit.
I premtoi se do ta çonte në shtëpi, e përdhunon rrugës
Gjirokastër – Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë ndaluar 25-vjeçarin Diftir Habipi, lindur dhe banues në lagjen “Pllakë” të këtij qyteti, pas një denoncimi ndaj tij për përdhunimin e një minoreneje. Sipas të dhënave, ai e ka marrë në automjetin që ia kishte marrë një shoku vajzën me iniciale B. H., banuese në Gjirokastër, duke i premtuar se do ta çonte në shtëpi, të cilën e kishte në lagje dhe e njihte më parë. Vajza minorene punonte kameriere në një lokal në lagjen “18 Shtatori” të qytetit Gjirokastër dhe në orën 22:00 mbaronte turnin. Pasi ka pirë kafe në disa lokale në qytet, kur do të iknin për në shtëpi, në makinë, ky shtetas ka përdorur forcën dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me këtë shtetase dhe rreth orës 04:30 e ka çuar në shtëpinë e saj. Ajo menjëherë është paraqitur në Policinë e Gjirokastrës bashkë me prindërit e saj dhe ka bërë kallëzim në prani të psikologut kundrejt këtij shtetasi.
27 Mars 2009