Ekzekutori i policëve sot për masë te Krimet e Rënda
Tiranë - Afrim Hasani, i riu që ekzekutoi vetëm pak ditë më parë dy policë në Kukës, do të paraqitet sot për masën e sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda pohuan dje se dosja ka kaluar në këtë institucion për shkak të veprës penale që ka konsumuar i arrestuari. Hasani pritet të paraqitet rreth mesditës së sotme për t’u njohur zyrtarisht jo vetëm me akuzën, por edhe me masën e sigurisë që do të merret ndaj tij. Afrim Hasani, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Shënmri të Kukësit, u arrestua falë një operacioni të zhvilluar në zonën përreth fshatit ku banon, pak kilometra larg vendit ku ndodhi ngjarja. Policia tha se i dyshuari nuk bëri rezistencë. Më parë Forcat RENEA që kryen operacionin, në bashkëpunim me forcat vendore të policisë, e kanë marrë të dyshuarin dhe mësohet se e kanë sjellë atë në Tiranë në një paraburgim të sigurisë së lartë.
Ndalohet 27-vjeçarja, falsifikoi dokumentet zyrtare
Vlorë - Një 27-vjeçare nga qyteti i Durrësit, e dënuar për falsifikim vizash, u ndalua dje në pikën kufitare të Portit të Vlorës, ku kishte zbritur nga njëri prej trageteve që përshkojnë linjën detare me Italinë. Burime zyrtare të policisë kufitare të Portit të Vlorës bënë të ditur për “Albania”-n se, “Vera Daiu, 27 vjeçe, që po kthehej nga Italia, u ndalua gjatë kontrollit të dokumenteve”. Sipas burimeve, Daiu rezulton të jetë dënuar nga Gjykata e Durrësit për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Ajo ishte larguar për në Itali, duke i shpëtuar ndjekjes së policisë. Të njëjtat burime bënë të ditur se 27-vjeçarja do të përcillet për në Komisariatin e Policisë në Durrës, ku do të zhvillohen procedurat e vuajtjes së dënimit. Ndalimi i saj e çon në 10 numrin e personave të kapur gjatë këtij viti në pikat kufitare të Qarkut të Vlorës, të cilët kanë qenë në kërkim të akuzuar apo të dënuar për vepra të ndryshme penale.
27 Mars 2009