E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Punës përcakton profesionet e vështira që do të përfshihen në draft

Këshilli Kombëtar i Punës shqyrtoi dje Strategjinë për Sigurinë dhe Shëndetin në punë

Jonida Tashi

Miratohet Dokumenti Strategjik Kombëtar për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Për herë të parë, vendi ynë do të ketë një dokument të tillë, që do të jetë rregullatori kryesor në marrëdhëniet e punës. Dokumenti evidenton sektorët më problematikë, ku shqetësues është numri i lartë i aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, ku veçohen ndërtimi, minierat, ndërmarrjet e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve etj. Ministri i Punës, Anastas Duro, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Punës (KKP), thirri paraditen e djeshme mbledhjen e radhës së këtij Këshilli në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të qeverisë dhe partnerëve-punëdhënës dhe punëmarrës.
Mbledhja
Në mbledhjen e parë të KKP-së për vitin 2009, përveç miratimit të draftit strategjik, janë miratuar edhe dy projektvendime “Për mbrojtjen e të miturve në punë” dhe “Përcaktimin e punëve të vështira”, të cilat pritet të kalojnë së shpejti për miratim në Këshillin e Ministrave. Partnerët, njëherazi anëtarë të KKP-së, përshëndetën iniciativën e hartimit për herë të parë të një dokumenti të tillë dhe kërkuan bërjen eficient të tij në një kohë sa më të shkurtër. Ministri i Punës, duke u ndalur në strategjinë për punën, theksoi se, “cilësia e punës dhe e punësimit është kthyer në një ndër pikat kryesore të Strategjisë së Lisbonës”. Sipas tij, strategjia parashikon përmirësimin e sistemit të inspektimit nëpërmjet përafrimit të kuadrit ligjor me legjislacionin europian, krijimin e një sistemi modern dhe unik të shërbimit të inspektimit të punës në të gjithë vendin dhe zhvillimin e një kulture parandalimi të rreziqeve në punë.
Strategjia
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Politikave në Ministrinë e Punës, Gjergji Leka, u ndal në risitë që sjell ky dokument strategjik, duke theksuar se qëllimi i tij është ndërtimi i një shtegu të qartë për zhvillimin në të ardhmen të shërbimeve të sigurisë dhe shëndetit në punë. Sipas Lekës, prioritetet strategjike dhe objektivat e këtij dokumenti, veç të tjerash do të jenë: “Reduktimi i numrit të aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale në Shqipëri në masën 15 për qind, për periudhën 2009-2013”. Gjithashtu, drejtori i Politikave përmendi se me qëllim ndjekjen dhe zbatimin e këtij dokumenti politikash, është menduar edhe ngritja e një Komiteti Ndërministror “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, pasi fushat që ai përfshin, por edhe institucionet përgjegjëse, janë të larmishme, duke filluar nga Inspektorati Shtetëror i Punës, Inspektorati i Inspektim-Shpëtim Minierave, Inspektorati i Enëve nën Presion, etj. Leka sqaroi se aktualisht strategjia e punës nuk përfshin sektorin bujqësor, pasi është menduar që pas konsolidimit të këtij procesi në sektorët e tjerë, strategjia të përfshijë edhe punët në bujqësi.

Sindikatat kërkojnë heqje licencash për subjektet që nuk plotësojnë kushtet

Sindikalistët kanë kërkuar heqje të licencave për subjektet private që nuk plotësojnë kushtet dhe sigurinë në punë. Të pranishëm në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës, ata thanë se pavarësisht kushteve të punës, të cilat janë përmirësuar në disa sektorë, përsëri mungon trajnimi dhe kualifikimi, duke rrezikuar kështu jetën e punëtorëve. Ata kanë kërkuar bashkërendim të të gjitha ministrive për kontrollet që duhet të ndërmerren për sigurinë në punë. “Në ndërprerjen e licencave të shumë subjekteve, të cilat bëjnë shkelje shumë të rënda në drejtim të sigurimit teknik dhe si pasojë vjen dhe aksidenti në punë, trajnimi i punonjësve nuk është në masën e duhur dhe kualifikimi është shumë i dobët”, - tha Sami Kariqi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve. Edhe ministri i Punës, Anastas Duro, u shpreh se ky do të jetë objektivi jo vetëm i Inspektoratit të Lartë Shtetëror të Punës, por edhe i ministrive të linjës.

Profesionet e vështira
Punët që kryhen në kushte të vështira e të dëmshme për shëndetin konsiderohen ato që kryhen në ambiente që kapërcejnë kufijtë e lejueshëm të faktorëve të dëmshëm për shëndetin, të cilët përcaktohen në dispozita të veçanta ose në norma të detyrueshme higjieno-sanitare. Qeveria ka miratuar dhënien e shtesës për punët që kryhen në kushte të vështira e të dëmshme për shëndetin. Shtesa mbi pagë, që merret nga punonjësit e punëve të vështira, mbështetet në rezultatet e studimeve të ambientit që kryhen nga institucionet e autorizuara për këto lloj studimesh. Në rastet kur punonjësit i takojnë të marrë më shumë se një shtesë për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, shtesat jepen për çdo rast.
Ndarja e punëve sipas shkallës së vështirësisë dhe dëmshmërisë për shëndetin është si vijon:
Shkalla e parë
Në shkallën e parë përfshihen punët që kryhen:
a) në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të pluhurave, që nuk shkaktojnë dëmtime të mushkërisë;
b) në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të substancave toksike, që nuk depozitohen në organizëm;
c) në ambientet e mbyllura, në të cilat për arsye teknologjike mbahet konstante temperatura mbi 25 gradë, ose nën 10 gradë;
d) në një ambient të lagët me lagështi relative të ajrit mbi 80 për qind, në baltë ose në kontakt direkt me ujin;
e) në kushtet e ekspozimit ndaj rrezatimit ultraviolet ose infra të kuqe, për shembull: saldimi, farkëtimi etj;
f) në kushtet e vibrimit të përgjithshëm;
g) në ambientet në të cilat është i domosdoshëm përdorimi i ndriçimit artificial;
gj) pranë monitorëve elektrikë me ekran (kur punon mbi 4 orë në ditë).
Shkalla e dytë
Në shkallën e dytë të dëmshmërisë për shëndetin ose të vështirësisë së veçantë përfshihen punët që kryhen:
a) në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të pluhurave që shkaktojnë dëmtime të mushkërisë;
b) në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të substancave toksike që depërtohen në organizëm;
c) në kushtet e ekspozimit ndaj zhurmave;
d) në kushtet e presionit të ulur ose të ngritur për arsye të procesit teknologjik;
e) në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të vibrimit lokal, p.sh. përdorimi i pajisjeve pneumatike me dorë;
f) në kushtet e një mbingarkese fizike të llogaritur të paktën 1100 kilokalori për burrat dhe 600 kilokalori për gratë ose që kërkojnë një pozicion të detyruar për trupin;
g) në praninë potenciale me burime infeksioni të rrezikshme, në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të hormoneve dhe antibiotikëve që shkaktojnë çrregullime të veprimtarisë fiziologjike të organizmit, si dhe faktorëve të tjerë me veprim të njëjtë si hormonet dhe antibiotikët, në qoftë se kjo do të njihet nga Instituti i Higjienës dhe Epidemiologjisë.
Shkalla e tretë
Në shkallën e tretë të dëmshmërisë për shëndetin ose vështirësisë përfshihen punët që kryhen:
a) në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të fushave elektromagnetike me frekuencë të lartë në intervalin nga 0,1 deri 300.000 MhZ në zonën e rrezikut;
b) në kushte veçanërisht të rrezikshme:
- në lartësinë mbi 2m ose në thellësinë nën 2m kur punohet në prani të rrezikut;
- që lidhen me prodhimin, përdorimin, magazinimin dhe transportimin e gazeve dhe materialeve shpërthyese;
- brenda rezervuarëve, aparateve, kanaleve, puseve etj., kryerja e të cilave kërkon leje speciale nga drejtuesi i ndërmarrjes ose institucioni;
- në pajisjet elektroenergjetike që ndodhen nën tension mbi 220 V, që kryhen në përputhje me udhëzimet për mbrojtjen në punë;
- që lidhen me ngarkimin dhe shkarkimin e lëndëve djegëse të lëngëta, si dhe transportimin e tyre;
- nën tokë ose nën ujë;
- në punët me të sëmurët psikikë e me të meta mendore, në shërbimin e anatomisë
patologjike e mjekësisë ligjore, në repartet e sëmundjeve onkologjike.
Shkalla e katërt
Në shkallën e katërt të dëmshmërisë për shëndetin përfshihen punët që kryhen me benzidinë, alfa dhe beta naftiloaminë, klorvinil, punët që kryhen në kushtet e ekspozimit ndaj rrezatimit jonizues, si dhe faktorë të tjerë me veprime analogjike në qoftë se kjo do të njihet nga Instituti i Higjienës dhe Epidemiologjisë.

Pika për profesionet e vështira

Për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, punonjësve u jepen shtesa mbi pagë, sipas shkallëve të vështirësisë e të dëmshmërisë, si më poshtë vijon:
Në shkallën e parë deri në 5 për qind
Në shkallën e dytë 10 deri 15 për qind
Në shkallën e tretë 15 deri 20 për qind
Në shkallën e katërt 20 deri 25 për qind.

27 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›