Vlorë, aksidentohet këmbësorja në Rrugën Transballkanike
Vlorë - Paraditen e djeshme, rreth orës 11:00, një tjetër aksident i rëndë është shënuar në Rrugën Transballkanike. 35-vjeçarja Edlira Vegaj është aksidentuar nga një automjet tip trajler, me targa VL 2305 C. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e automjetit. Policia tha se 35-vjeçarja pas përplasjes është çuar me shpejtësi në spital dhe mjekët e kanë future menjëherë në sallën e operacionit. Ajo ka fraktura të kockave të legenit dhe gjymtyrëve të poshtme dhe është në shok hemorragjik, - shpjeguan mjekët. Kjo do të thotë që jeta e saj është ende në rrezik, ndërsa drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat. Rruga Transballkanike duket se po kthehet rruga e vdekjes në qytetin e Vlorës. Ky është aksidenti i dytë i rëndë që përfshin këmbësorë në këtë aks rrugor. I pari shkaktoi një viktimë dhe në aksident ishte përfshirë sërish një automjet i tonazhit të rëndë. Shkak kryesor i këtyre aksidenteve vijon të mbetet pasiguria e këtij aksi rrugor dhe mungesa e sinjalistikës, ndërsa edhe policët e qarkullimit shihen rrallë në këtë rrugë. Fakti që ende punimet nuk kanë mbaruar në këtë aks rrugor, ka bërë që ky të mos ketë asnjë sinjalistikë, ndërsa tashmë që shumë rrugë të qytetit janë në gjendje mizerabël për shkak të punimeve të ujësjellësit, i gjithë qarkullimi është përqendruar në këtë aks.
27 Mars 2009