E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitmarrja në Durrës, në pranga 4 zyrtarë dhe një sekser

Operacioni “Batica” i Task-Forcës dhe njësisë “Antikorrupsion”. Funksionarët kërkonin para për mosekzekutimin e vendimeve bashkiake

Durrës – Akuza për korrupsion ka vënë në pranga dje 4 zyrtarë në Durrës. Lajmin e bëjnë me dije burimet zyrtare policore, që kanë sqaruar se operacioni është bërë nga zyra Task-Forcë e Tiranës. Sipas tyre, janë arrestuar shtetasit Rexhep Bulku, me detyrë kryetar i Policisë Bashkiake të Durrësit; Bashkim Maloku, punonjës i Policisë Bashkiake; Luan Shaba, kryetar i Njësisë Administrative Nr. 4 në qytet dhe Lutfi Dervishi, punonjës i kësaj njësie.
Operacioni
Pas hetimeve disamujore nga Task-Forca e Tiranës, rreth orës 10:30 të mëngjesit të së enjtes kanë ndaluar katër punonjës të administratës shtetërore në Durrës. Ndalimi i tyre është bërë me akuzën e “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”. Operacioni “Batica” i Task-Forcës u zhvillua pikërisht në kohën që tre punonjësit e Policisë Bashkiake; Bashkim Maloku, Lutfi Dervishi dhe kryetari i saj Rexhep Bulku, kanë qenë duke ushtruar kontroll në tregun e fruta-perimeve në Durrës. Ndërsa i akuzuari tjetër, Luan Shaba, kryetar i Rajonit numër 4, është ndaluar në zyrën e punës. Ndalimi i katër të akuzuarve është konsideruar si suksesi i radhës për efektivat e Policisë së Durrësit dhe ato të Tiranës, pasi kanë arritur të godasin katër shtetas, të cilët, me anë të detyrës, kanë kryer abuzime të ndryshme dhe jo të ligjshme.
Hetimet
Pas hetimeve disamujore kanë përfunduar në prangat e zyrës së Antikorrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës si dhe Task-Forcës së këtij qyteti, në bashkëpunim edhe me efektivat blu të Policisë së Durrësit, kreu i Njësisë Nr. 4 Durrës Luan Shaba, shefi i Policisë Bashkike, Rexhep Bluku si dhe dy efektivat e kësaj policie, Bashkim Malokun e Lutfi Dervishi. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Durrësit mësojmë se shtetasit, në mënyrë abuzive bëni ndere kundrejt ryshfeteve, duke iu mundësuar personave dokumenteve apo favore të pamerituara. Zyra e hetimit të Antikorrupsionit gjithashtu ka nisur hetimet duke bllokuar regjistrat dhe dokumentacionet e nevojshme si provë kryesore për zbardhjen e plotë të aferave korruptive ku janë përfshirë katër shtetasit e arrestuar. Nga verifikimet e të dhënave deri tani, policia ka mësuar se së paku 25 persona që nga viti 2006 kishin përfituar nga shtetasit e arrestuar, kryesisht nga kreu i Njësisë Bashkiake Nr. 4 si dhe shefi i Policisë Bashkiake. Të gjitha rastet e mësipërme të policisë i janë dorëzuar hetuesve dhe prokurorëve të çështjes, për të zbardhur të gjitha abuzimet. Policia ka pyetur katër të arrestuarit, të cilët nuk kanë pranuar të japin sqarime dhe të dhëna rreth mënyrës së abuzimit, ndërsa u ka komunikuar atyre akuzat. Zyrtarisht policia tha se dyshohet se këta shtetas kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin; kanë lejuar ndërtimin e objekteve pa leje, nuk kanë zbatuar vendimet dhe urdhrat për prishjen e objekteve pa leje, s’kanë kryer veprime për mbylljen e aktiviteteve pa licencë. Nga hetimet dyshohet se këta funksionarë u kërkonin qytetarëve para në këmbim të ndereve e favoreve për mosekzekutimin e vendimeve për prishje objektesh të paligjshme, si dhe mosmbylljen e aktiviteteve pa licencë. Rolin e sekserit ndërmjet punonjësve të Policisë Bashkiake dhe qytetarëve e kryente shtetasi Fetah Mataj. Gjatë kontrollit të ushtruar në zyrat dhe banesat e të ndaluarve u sekuestruan dokumente që vërtetojnë veprimtarinë korruptive. Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Të arrestuarit
1. Rexhep Ismail Bulku, i vitlindjes 1959, lindur dhe banues në Durrës, Lagjja Nr.2, me arsim të lartë, me detyrë shef i Policisë Bashkiake Durrës

2. Bashkim Xhemal Maloku, i vitlindjes 1972, lindur dhe banues në Sukth, Durrës, me arsim të mesëm, me detyrë polic trupe në Policinë Bashkiake Durrës

3. Lutfi Shaban Dervishi, i vitlindjes 1960, lindur dhe banues në Durrës, me detyrë inspektor i Komunës Spitallë Durrës

4. Luan Hamid Shaba, i vitlindjes 1971, me arsim të lartë, me banim në Lagjen Nr. 15 Durrës, me detyrë administrator i Njësisë Administrative Nr. 4 Durrës

5. Fetah Ajet Mataj, i vitlindjes 1982, lindur në Tepelenë dhe banues në Lagjen Nr. 15, me arsim të lartë, i dënuar më parë për vepra penale kundër personit

27 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›