E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti rrugor, makina përplaset me motorin, përfundon në spital 30-vjeçari



Shkodër – Në aksin rrugor Perash–Fermentim, të qytetit të Shkodrës, në vendin e quajtur “Nënstacioni elektrik”, 30-vjeçari Gjovalin M. banues në fshatin “Bardhaj”, duke drejtuar një motoçikletë të tipit “CO Motoor”, pa targa, është përplasur me një automjet tip Bens veturë, me targa të huaja LD 4267, me drejtues 32-vjeçarin P. E. banues në Shkodër. Për pasojë, është dëmtuar drejtuesi i motoçikletës, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ndërsa e fejuara e tij, 22-vjeçarja L. C., e cila udhëtonte si pasagjere në motoçikletë, nuk ka pësuar asnjë dëmtim. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe materialet në ngarkim të Gjovalin M., i kaluan prokurorisë së rrethit, në gjendje të lirë, për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim të mjetit pa patentë”.

I sëmuri mendor denoncon në polici: Më rrahën për motive politike

Korçë – Pretendon se është rrahur për motive politike, policia zbardh ngjarjen. Burime nga policia e Korçës bënë të ditur se është njoftuar dje se në fshatin Vreshtas të Korçës është rrahur Dëfrim Rena, banues në fshatin Vreshtas të Korçës. Sipas policisë Rena pretendoi se është rrahur për motive politike dhe se i përket forcës politike të majtë, PS-së. Për të sqaruar incidentin policia komunikoi me drejtuesit kryesore të kësaj force politike për fshatin Vreshtas dhe konkretisht me kryetarin e PS-së të zonës, Florenc Tabaku, i cili tregoi se personi i dëmtuar nuk ka lidhje me këtë forcë politike. Sipas deklaratës së Tabakut dhënë në polici, Rena nuk është rrahur për motive politike dhe se nuk është aktivizuar prej tyre për fushatë elektorale për të cilat pretendon i dëmtuari. “I dëmtuar Dëfrim Rena, sipas dëshmive të bashkëfshatarëve të tij është me probleme mendore dhe për këtë nga ana e policisë është shoqëruar në dy raste për t’u trajtuar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes për të sqaruar dhe hetuar rrethanat e kësaj ngjarjeje”, -bëri të ditur Policia e Korçës.

Tenton të kalojë rrugën, aksidentohet 50-vjeçarja

TIRANE- Një aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën sot një gruaje rreth 50 vjeç në Tiranë në afërsi të vendit të quajtur rrethrrotullimi i Zogut të Zi. Gruaja ishte duke kaluar me këmbë nga një anë e rrugës në tjetrën kur është shtypur nga një automjet tip Bens me targa TR 3161 h. Drejtuesi i automjetit 24- vjeçari, Vask Toskaj është shoqëruar menjëherë në polici, kurse ekspertët në vendngjarje pohojnë se shkak i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia e madhe e automjetit.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›