E Diel, 1 Nëntor 2026

Xheloz për gruan, i merr pistoletën shokut gardian burgu dhe vret veten



Tiranë – I ka dhënë fund jetë në mënyrën më të tmerrshme një 35-vjeçar xheloz në kryeqytet. Policia po heton pistat e ngjarjes duke u përqendruar në atë të një vetëflijimi të mundshëm. Ngjarja ka ndodhur të dielën paradite në afërsi të fushës “Misto Mame”. Sipas policisë viktima është A. Ll. 35 vjeç, lindur në Kryezi të Pukës. I ndjeri u gjet nga shërbimet e policisë, pak minuta pasi u mor njoftimi nga salla operative se në ambientet e një banese pranë “Misto Mames”, ka vdekur si pasojë e plumbit me armë zjarri, një shtetas. Nga hetimet e kryera, u zbuluan motivi dhe rrethanat e ngjarjes. Sipas policisë, i ndjeri A. Ll. prej disa kohësh përjetonte xhelozi ndaj bashkëshortes, por nuk dihet shkaku i xhelozisë së tij. 35-vjeçari dyshonte se bashkëshortja e tradhtonte, ndaj dhe mendohet të ketë planifikuar edhe vetëflijimin. Burime policore thanë për gazetën se ai ka shfrytëzuar rastin t’i marrë pa leje pistoletën një shoku të vet, gardian burgu në Tiranë. Sipas dëshmive të mbledhura gardiani ka raportuar tek eprorët e tij të burgut ku punon, se i kishte humbur pistoleta që mbante për shkak të detyrës, pa e ditur se me të po kurdisej nga shoku i vet plani i vetëvrasjes. Mëngjesin e së dielës 35-vjeçari gjendej i vetëm në shtëpi dhe në këtë moment, ai mendohet të ketë nxjerrë pistoletën që i kishte marrë fshehurazi shokut dhe ka kryer vetëvrasjen. Policia tha se në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore, nga ku rezultoi se viktima ka vrarë veten me armë zjarri. Aktualisht nga grupi hetimor i formuar dhe nga ekspertë të seksionit Kundër Krimeve ndaj Shëndetit, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Në cilësinë e provës materiale, policia tha se u sekuestrua pistoleta e tipit “TT” si dhe një karikator, por materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ndjekje të mëtejshme.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›