E Diel, 1 Nëntor 2026

Po kthehej nga Greqia, prangoset i kërkuari që vrau 12 vjet më parë

Policia ka arrestuar në Pikën Kufitare të Kakavijës Miljan Buzin, i kërkuar për vrasjen e një 19 vjeçari. Buzi ishte arrestuar nga burgu gjatë trazirave të vitit 1997 dhe u kap teksa kthehej nga Greqia

Luan Kondi

Gjirokastër - Është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës shtetasi Miljan Buzi, banues në Kombinat të Tiranës, i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 8 vjet heqje lirie për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, në fshatin Petovë në Fier. Ngjarja e rëndë daton 12 vjet më parë kur ky shtetas ka vrarë me thikë për motive të dobëta një 19 vjeçar me iniciale M. L. Buzi ishte arrestuar pas kësaj vrasje por kishte mundur të arratisej nga burgu gjatë trazirave të vitit 1997. Ai u arrestua serish në vitin 2004 kur kreu më shumë se 2 vjet burg dhe u lirua nga gjykata e Fierit. Por Gjykata e Apelit në Vlorë mori vendim të prerë duke dënuar këtë shtetas me 8 vjet burg. Dje Miljan Buzi, vinte nga Greqia për në Shqipëri dhe në hyrje të territorit shqiptar në Kakavijë është kapur nga shërbimet e policisë kufitare.
Arrestimi
Mesditën e djeshme, Miljan Buzi ndodhej përkrah emigrantëve të tjerë, pa u kuptuar se ishte një person shumë i kërkuar. Në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, pasi ka kaluar qetësisht policinë kufitare greke, ka hyrë në territorin shqiptar, por sapo i riu iu nënshtrua verifikimeve, policia i ka hedhur prangat. Policia e Gjirokastrës konfirmoi se Miljan Buzi, 28 vjeç, lindur në fshatin Petovë, Fier dhe banues në Kombinat, Tiranë, rezultonte në kërkim. Buzi është i shpallur në kërkim më datën 26 shkurt 2009, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, me vendim të formës së prerë, Nr. 322, datë 21 tetor 2008, e ka dënuar me 8 vjet burg për veprën penale të “Vrasjes me dashje”.
Ngjarja
Më 22 shkurt 1997, në fshatin Petovë të rrethit Fier, Buzi, atëherë vetëm 16 vjeçar, ka vrarë me thikë 19-vjeçarin M. L., po nga fshati Petovë. Nga hetimi doli se viktima M. L. kishte rrahur vëllain e Buzit, për motive të dobëta dhe për këtë Miljani nuk ia kurseu jetën dhe e vrau atë me thikë. Pas ngjarjes, adoleshenti ra në qeli, por është larguar nga burgu në vitin 1997, pas trazirave që ndodhën dhe kur shteti dorëzoi kontrollin mbi vendet e izolimit. Megjithatë, shtatë vjet më vonë, në vitin 2004, Miljan Buzi është arrestuar sërish dhe ka kryer 2 vjet e 6 muaj burg. Menjëherë më pas, ai është liruar nga Gjykata e Rrethit Fier. Por Gjykata e Apelit Vlorë ka marrë vendim të formës së prerë duke e dënuar Miljan Buzin, me 8 vjet burg.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›