E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiti dy biznesmenë në Elbasan dhe Durrës, kapet në arrati drejt Greqisë



Tiranë – Arrestohet në tentativë arratisjeje drejt Greqisë, një i ri që grabiste biznesmenë në bashkëpunim me persona të tjerë. Alban Skonja u kap në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës në Korçë, duke tentuar të kaloje Kufirin Shtetëror për në Greqi. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit, konfirmuan dje për gazetën “Albania”, se ndaj 26-vjeçarit, ekzistonin dy urdhër-arreste nga Gjykata e Rrethit Durrës, i 7 prillit 2009, dhe një tjetër nga Gjykata e Rrethit Elbasan, e 8 shkurtit 2009. Skonja, i dënuar më parë, për veprën penale të vjedhjes me dhunë, akuzohet për grabitje me dhunë në bashkëpunim. Një nga ngjarjet për të cilën akuzohet ka ndodhur plot një vit më parë, më 8 qershor 2008, në lagjen nr 1 të qytetit bregdetar. Tek Vila e Zogut, Alban Skonja, në bashkëpunim me dy persona të paidentifikuar i kanë zënë pritë biznesmenit të njohur durrsak Çezar K. Fillimisht, tre djemtë e kanë goditur biznesmenin me mjete të forta në kokë dhe i kanë rrëmbyer atij çantën ku kishte plot 25 milionë lekë. Por Alban Skonja, nuk ishte mjaftuar me kaq. Pasi përlau së bashku me dy shokët e tij, shumën marramendëse nga biznesmeni durrsak, ka menduar për goditjen e radhës. Pikërisht mbrëmjen e 18 shtatorit të vitit që shkoi, Skonja, dyshohet të ketë grabitur plot 3 milionë lekë. Goditja e radhës u realizua prej tij në qytetin e Elbasanit. Ai dhe katër persona të tjerë kanë rrethuar dhe kanë goditur me mjete të forta në kokë kambistin Arben K. duke i marrë shumën e 3 milionë lekëve, të cilat viktima i tyre, i kishte në kasetën e motorit me të cilin udhëtonte.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›