E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Shëndetësisë, 10 për qind e fëmijëve nuk janë vaksinuar



Rreth 10 për qind e fëmijëve në vend janë të pa vaksinuar. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se është ruajtur një mbulesë vaksinale në 90% në të gjithë territorin e vendit, ndërsa 10 për qind e tyre janë të pa vaksinuar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë më problematike për kryerjen e vaksinimit janë zonat rurale, popullatat e zonave informale dhe komuniteti Rom. Këta të fundit janë dhe kategoria më problematike, ku një pjesë e tyre nuk figurojnë të regjistruar as në institucione dhe janë kategoria që i drejtohen më pak spitaleve. Ministria e Shëndetësisë, sqaron se aktualisht po mbahen në monitorim intensiv shëndetësor popullatat me risk të lartë si romët, zonat e largëta rurale apo popullatat e zonave informale.
Nga ana tjetër, kalendari vjetor i vaksinimit është pasuruar, madje pritet që listës së vaksinave t’i shtohen të tjera të detyrueshme për fëmijët. Sipas MSH-së, vaksinimi parandalon dhe shpëton jetën e fëmijëve nga disa lloj sëmundjesh. Një pjesë e vaksinave bëhen që në muajt e parë të jetës së foshnjave, e më pas ndiqen këshillat e mjekëve për moshën dhe kohën e kryerjes së vaksinave të tjera. Sëmundjet që shmangen nga kryerja e vaksinës janë: Tuberkulozi, me vaksinën BCG; Hepatiti Viral B, me vaksinën Hep.B; Difteria, Tetanozi, Kolla e Mirë, me vaksinën DTP; Poliomyeliti, me vaksinën OPV; Fruthi, Rubeola, Shytat, me vaksinën FRV. Ndërsa në vitin 2009 me futjen e vaksinës pentavalente DTP-Hep B-Hib kemi futjen edhe të vaksinës ndaj infeksioneve të shkaktuara nga Haemofillus Influenca. Të gjitha foshnjat deri në 6 muajsh do të kryejnë vaksinën pentavalente, e cila i mbron nga 5 sëmundje. Kjo vaksinë po kryhet për herë të parë në vendin tonë dhe tashmë i është shtuar programit të vaksinimit. Vaksina pentavalente, “5 në 1”, parandalon 5 sëmundje: difterinë, tetanozin, kollën e mirë (pertusin), hepatitin B (verdhëzën) dhe infeksionet e shkaktuara nga Haemophilus influenzae tip b (Hib) në veçanti meningjitin e shkaktuar prej tij. Kjo vaksinë kryhet në moshën 2, 4 dhe 6 muaj. Pra, të gjithë fëmijëve që kanë lindur më 1 janar 2009 do t’u ofrohet vaksinimi me vaksinën e kombinuar “5 në 1” (DTP-HepB-Hib). Kjo vaksinë futet në vendin tonë pas një procesi të gjatë të aplikimit pranë GAVI-t (Aleancës Botërore për Vaksinat) që nga viti 2001, kohë kjo kur Shqipëria mund të aplikonte pranë këtij organizmi. Qeveria shqiptare paguan vetëm për komponentin e hepatitit B në këtë vaksinë. Në momentin që përfundon marrëveshja me GAVI-n, pas pesë vitesh, qeveria do të marrë përsipër, ashtu si dhe për të gjitha vaksinat e tjera, financimin e plotë të kësaj vaksine. Kjo vaksinë, ashtu si të gjitha vaksinat e kalendarit kombëtar të vaksinimit, ofrohet falas nga shteti.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›