E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë shqiptarësh në Stamboll, pranga nënkomisarit të Aeroportit të Rinasit

Altin Murra kapet pas përgjimeve telefonike në flagrancë duke transportuar heroinë bashkë më dy persona të tjerë. Vetëm një muaj më parë sekretari i dytë i Ambasadës Shqiptare në Shkup u kap me 65 kilogramë heroinë

Luan Kondi

Tiranë - Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Turqi të implikuar në trafikun e lëndëve narkotike. Mes të ndaluarve, njëri është oficer në Rinas. Lajmi konfirmohet edhe nga Policia e Shtetit, e cila njofton se është në dijeni të arrestimit të shqiptarëve, që janë: nënkomisar Altin Murra, me detyrë oficer në Rinas; Burhan Markeçi nga Dibra, 39-vjeç dhe Nalton Jacaj nga Tirana, i moshës 35-vjeç. Sipas të dhënave të para, mësohet se lënda narkotike me të cilën janë kapur është e llojit heroinë, por ende nuk është saktësuar sasia. Ata janë kapur në Stamboll, teksa kanë qenë duke transportuar drogën. Mendohet se shkak për ndalimin e tyre janë bërë përgjimet telefonike, por hetimet janë duke vijuar ende. Vetëm pak kohë më parë, sekretari i dytë i Ambasadës sonë në Shkup, Agim Haxhia, u arrestua me 65 kilogramë heroinë.
Operacioni
Gati një muaj pas arrestimit të ish-sekretarit të dytë në ambasadën shqiptare në Shkup, një tjetër operacion antidrogë i policisë turke ka vënë në pranga tre shtetas të tjerë shqiptarë për implikimin e tyre me çështjet e drogës. Mediat turke raportojnë se mes të prangosurve është edhe një oficer policie, efektivi i uniformave të Aeroportit të Rinasit. Po sipas mediave turke, tre shqiptarët janë ndaluar në Stamboll, në kushtet e flagrancës, duke transportuar një sasi të konsiderueshme droge, masa e të cilës shkon deri në 65 kilogram. Nënkomisar Altin Murra, i diplomuar në akademinë policore turke, u kap se bashku me dy bashkëkombësit e tij, Burhan Markeçi nga Dibra, 39 vjeç dhe Nalton Jacaj nga Tirana, i moshës 35 vjeç. Sipas të dhënave paraprake nga policia, të prangosurit ishin duke udhëtuar me një maune transportuese mallrash, shofer i të cilës ishte Burhan Markeçi. Behet e ditur se ata janë kapur pas përgjimeve telefonike nga ana e policisë turke. Për shkak të verifikimeve që po vijojnë ende, policia nuk jep të dhëna të tjera.
Rastet
Ky është rasti i tretë që policitë turke dhe italiane vënë në pranga diplomatë, shoferin e ambasadës dhe tashmë një nënkomisar policie. Kështu, autoritetet kufitare turke arrestuan më 2 maj të këtij viti me 65 kilogramë heroinë në automjetin e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Maqedoni, sekretarin e dytë të ambasadës në Shkup, Agim Haxhiu. Arrestimi është kryer në kufirin midis Turqisë dhe Bullgarisë, në rrugën e kthimit transit për në Maqedoni. Arrestimi edhe pse ishte bërë procedurat e njoftimit i kanë detyruar autoritetet turke ta mbajnë disa ditë sekret ngjarjen. Madje edhe autoritetet zyrtare shqiptare të pyetura nga mediat mohuan të kishin një informacion të tillë. Pasi arrestimi u bë publik, Ministria e Jashtme ka bërë menjëherë vendimin për shkarkimin e Haxhiut nga detyra. Agim Haxhiu kishte dalë nga Tetova të premten dhe, nëpërmjet Bullgarisë kishte kaluar në Turqi. Të nesërmen në datë 2 maj, me automjetin e përfaqësisë diplomatike shqiptare ai ka tentuar të rifutet në Bullgari për t’u kthyer, por me një ngarkesë prej 65 kilogramësh heroinë. Lënda narkotike që në kufirin turko-bullgar konsiderohet me vlerë 650 mijë euro, nëse do kishte mundur të hynte në kufirin shqiptar apo të ishte trafikuar në Itali ose Greqi, do të arrinte një vlerë prej rreth 2.5 milionë eurosh.
Disa muaj më parë, shoferi i ambasadës shqiptare në Romë, Arsen Selmanllari u arrestua pasi iu gjet 1 kg kokainë në automjetin me targa diplomatike. Arrestimet u kryen gjatë një kontrolli policor në autostradë në dalje të Milanos. Policia gjeti në bagazhin e makinës 1 kilogram kokainë

Ishte në kërkim për burg të pakryer, dërgohet në qeli 24 vjeçari

Tiranë – Kishte grabitur me dhunë dhe pas një viti policia e dërgon në qeli për të vuajtur dënimin e pakryer. Uniformat blu të kryeqytetit kanë vënë në pranga një 24-vjeçar pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale të “vjedhjes me dhunë”. Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit arritën të kapin dje 24-vjeçarin e shpallur në kërkim Sokol Sylaj, lindur dhe banues në Kamzë Tiranë. Burime policore thanë për gazetën se i riu ishte person në kërkim sepse Gjykata e Apelit në vendimin e sat të datës 26 gusht të vitit 2008, ka lënë në fuqi vendimin penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që e dënonte me 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë” në bashkëpunim.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›