E Diel, 1 Nëntor 2026

Specialistët në rrethe, trajnohen mjekët kardiologë



Mjekët specialistë që punojnë në rrethe janë disi më të distancuar nga trajnimet e ndryshme që kryhen në Tiranë. Ministria e Shëndetësisë, për të shmangur këtë situatë, ka kryer trajnimin e mjekëve kardiologë që punojnë në rrethe. Sipas Deklaratave të Ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, një pjesë e madhe e mjekëve do t’u nënshtrohen kurseve të trajnimit disa mujor apo vjeçar. Sipas specialistëve të shëndetësisë, kryerja e trajnimeve është e detyrueshme, pasi mjekët njihen me zhvillimet dhe metodat e reja të shkencës. Pas kryerjes së trajnimeve mjekët do të përdorin metodat dhe mënyrat bashkëkohore në një fushë të caktuar të shëndetësisë. I tillë është dhe trajnimi i mjekëve kardiologë, ku është ndërtuar dhe ka filluar të funksionojë në shumicën e territorit të vendit një program i depistimit (kapjes së hershme dhe trajtimit) të faktorëve në risk për sëmundjet e zemrës. Në shtator pritet të nisë një kurs 4-vjeçar për specializimin e mjekëve në Shërbimin e Urgjencës. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, pak kohë më parë, në një takim me drejtuesit e ASHR-së dhe specialistë italianë të shëndetësisë, u shpreh se shërbimi i urgjencave në vendin tonë është drejt një reformimi të thellë. Reformimi do të nisë duke filluar që nga ngritja e strukturave për ofrimin e këtij shërbimi, si dhe përgatitja e specialistëve. Mjekët italianë nga Torino po shkëmbejnë eksperiencën e tyre, në një kurs njëmujor me 50 mjekë shqiptarë, në shërbimin e urgjencës. Ky bashkëpunim do të jetë si në infrastrukturë, pajisje të teknologjisë së fundit, si edhe në trajnimin e kapaciteteve njerëzore. Gjithashtu, prioritet u janë dhënë edhe spitaleve të Lushnjës dhe Sarandës, për nga fluksi i njerëzve që ata trajtojnë. Ky kurs ka për qëllim të trajnojë mjekët për të përballur traumat e rënda kur paraqiten në shërbimin e urgjencës. Këto kanë të bëjnë me trajnimin në praktikat e reanimacionit, të stabilizimit të pacientit, si edhe t’u ofrojnë një shërbim urgjence personave jashtë spitalit, në mënyrë që të arrijnë në shërbimin e urgjencës pasi kanë marrë një trajtim të përshtatshëm.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›