Aksidenti tragjik, duhen inkurajuar operacionet e shpëtimit të jetëve njerëzore

Strukturat shtetërore të mobilizuara maksimalisht, shmangën rëndimin e bilancit të tragjedisë së frikshme në Fushë Arrëz
Ka plot mendime që flasin për një bilanc të frikshëm të aksidentit të fundit në veri të vendit, por ka po aq mendime që flasin apo dyshojnë se numri i viktimave mund të kishte qenë shumë herë më i madh, kjo do të ishte një katastrofë e vërtetë. 14 të vdekur është një shifër e frikshme, paniku u zgjerua dhe tmerri i vërtetë s’kishte kaluar akoma, teksa plot 12 të tjerë ndodheshin nën kujdesin e mjekëve me shumë shpresa për të mos rrezikuar jetën, por po me aq shpresa për të mos i shpëtuar vdekjes.
U fol shumë për shkaqet që çuan në këtë tragjedi të vërtetë. U akuzuan të pafajshëm dhe u hodhën hipoteza të pabaza në drejtim të drejtuesit të mjetit, i cili me siguri në atë fraksion të shpejtë të kohës, ka gjithçka të mundur për t’i shpëtuar humnerës. Por, fati s’donte këtë. Ai vdiq ashtu si 13 të tjerë, pasi ngrehina ishte dhjetëra metra e lartë dhe rrokullisjet e autobusit bënë që shumë prej pasagjerëve të mos i rezistojnë daljes nga automjeti dhe presionit të pamëshirshëm të hekurave, gurëve dhe dherave që vërshuan mbi ta.
U pa një solidaritet i jashtëzakonshëm duke filluar nga banorët e Gjegjanit, për të vijuar me ata të Pukës dhe për të kaluar më pas tek strukturat shtetërore. Ngritja e grupit të emergjencave mes Ministrisë së Brendshme, të Mbrojtjes dhe të Shëndetësisë, përjetuan barrën e rëndë të shpëtimit të jetëve njerëzore, nga një aksident ku fillimisht u raportua për një shifër të frikshme të vdekurish dhe me tendencë rritje minutë pas minute. Fatmirësisht nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra, por përsëri s’mund të quhet inkurajues fakti kur janë 14 të vdekur, nëse ngremë si hipotezë se bilanci mund të ishte shumë më tragjik, duke parë vendngjarjen dhe aksionin përmes së cilit është përshkuar aksidenti. Megjithatë, në këto momente meriton një notë maksimale Policia e Shtetit, ku forca të shumta u ndodhën në vendngjarje pa kaluar as 1 minutë nga aksidenti.
Ngritja e helikopterëve të ministrisë së Mbrojtjes dhe Shëndetësisë, bëri të mundur transportimin brenda pak minutash të të aksidentuarve duke shpëtuar disa jetë njerëzish dhe uljen e bilancit të humbjes së jetëve njerëzore të atij aksidenti që hyri në memorien e shqiptarëve si ngjarja më e dhimbshme në vend.
L. Q.