Humbja e kontrollit të mjetit, shkaku i tragjedisë në aksin Fushë Arrëz - Rrëshen
Hetimet zbulojnë shkakun e aksidentit tragjik
Një ditë pas ngjarjes së rëndë në aksin rrugor Fushë Arrëz-Rrëshen, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka nxjerrë konkluzionet e para nga hetimet, duke konstatuar se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të mjetit nga ana e shoferit, Zef Mark Frroku.
Përfundimi është arritur nga një grup hetimor i ngritur për hetimin e rrëzimit të autobusit me pasagjerë në aksin Rrëshen- Fushë Arrëz të dielën pasdite. Kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit ka treguar se shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka qenë brenda normave të lejuara, se lëvizja është kryer brenda normave të qarkullimit rrugor dhe në kahun e lejuar, sistemi i drejtimit të mjetit ka funksionuar normalisht.
Po ashtu nga hetimet e kryera rezulton se drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte një përvojë shumëvjeçare në drejtim, ndërkohë gjendja e rrugëve ishte e rregull. Nga raporti i mjekësisë ligjore nuk ka rezultuar që drejtuesi i mjetit të ketë pasur probleme të menjëhershme të natyrës shëndetësore gjatë drejtimit të mjetit. Gjithashtu dhe nga pyetja e dëshmitarëve nuk ka rezultuar të ketë pasur ndonjë mjet tjetër në rrugë në momentin kur ndodhi aksidenti.
Grupi hetimor vazhdon kryerjen e veprimeve procedurale si dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve të rastit.
Nga ana tjetër, prokurori i Pukës po vijon pyetjet ndaj të plagosurve për të zbardhur shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike, e cila tronditi mbarë opinionin publik.
Shtetasit që humbën jetën në aksidentin tragjik
Arsen Gjon Marku, rreth 8 vjeç, nga fshati Shkozë, Pukë
Paulin Lazër Gjoni, rreth 28 vjeç, nga fshati Shkozë, Pukë
Mimoza Mhill Dyzeni, rreth 29 vjeç, nga Kurbini
Adem Mustafa, rreth 52 vjeç, nga Fushë-Arrësi, Pukë
Marte Ndue Lleshi, rreth 31 vjeç, Mamurras
Alma Nikollë Marku, rreth 33 vjeç, nga fshati Shkozë, Pukë
Fran Llesh Paloka, rreth 22 vjeç, nga fshati Gojan, Pukë,
Gjovalin Gjin Pera, rreth 15 vjeç, nga Gjegjani, Pukë
Prengë Dyzeni, rreth 38 vjeç, banues në Kurbin,
Zef Mark Frroku (Gjergji), rreth 47 vjeç, banues në Gjegjan
Marie Prenga, rreth 60 vjeç, nga Shkozë, Pukë
Adela Paulin Prenga, rreth 14 vjeç, nga Shkozë, Pukë
Lavdie Hysen Mustafa, vjeç 41, nga Fushë-Arrësi, Pukë
Edona Adem Mustafa, vjeç 12, nga Fushë-Arrësi, Pukë