Aksidenti tragjik, si vdiqën 4 familjarët në ujërat e përroit
Zbardhet skema e aksidentit në Shijak, ku humbën jetën dy bashkëshortët dhe dy djemtë e tyre. Policia: Ujërat e përroit kanë marrë trupat e fëmijëve, e prindërit janë përpjekur t’i shpëtojnë
Shuhet në aksident një familje nga Shijaku, e cila po udhëtonte në drejtim të shtëpisë, në kohë rrebeshi. Tragjedia ka ndodhur në familjen Keçi nga fshati Gjopalaj i Shijakut, ku dy bashkëshortët Baki e Mimoza Keçi dhe fëmijët e tyre, Renato dhe Arbër, kanë ndërruar jetë në ujërat e përroit, pas daljes së makinës, me të cilën udhëtonin, nga rruga. Aksidenti është diktuar vetëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërkohë që policia e Durrësit ka zbardhur minutat e tmerrit, që u morën jetën 4 familjarëve. Nga hetimet dhe dëshmitë e mbledhura nga banorët e zonës, policia ka mundur të ndërtojë skemën e aksidentit të rëndë që i mori jetën familjes Keçi. Mbrëmjen e së enjtes, familja ishte duke udhëtuar me automjetin tip “Benz” me targa DR 80 71, por në momentin që po kalonin rrugën që lidh qytetin e Shijakut me Gjopalajn, ky aks ishte mbushur me ujë. Sipas policisë, kryefamiljari Baki Keçi është përpjekur të manovrojë, por nuk ia ka dalë dot, pasi rrebeshi i shiut ka qenë i fortë, ndaj edhe makina është përmbysur në përrua. “Ky është një përrua i heshtur gjatë verës, por në vjeshtë dhe në dimër bëhet shumë i rrezikshëm”,- tregojnë banorët e zonës, të trishtuar për tragjedinë e ndodhur në familjen Keçi. Drama e familjes Keçi vijon më tej, pasi asnjë prej tyre nuk ka vdekur nga përplasja e makinës, por nga mbytja. Pas rrëzimit, ata anë hapur dyert e automjetit dhe me plagë në trup janë munduar të dalin jashtë. Por uji ka rrëmbyer 2 fëmijët 14 dhe 10-vjeçarë, ndërsa bashkëshortët janë mbytur, teksa përpiqeshin të shpëtonin djemtë e tyre. Trupat e pajetë të tyre u gjendën mes kallamishteve të gjata e të dendura në mes të përroit.
Trupat e viktimave janë gjetur mëngjesin e djeshëm. Fillimisht u identifikuan Baki dhe Mimoza Keçi, e më pas policia mundi të gjejë me shumë vështirësi trupin e djalit 14-vjeçar, Renatos. Megjithë kërkimet e kryera, trupi i djalit të vogël të familjes nuk është gjetur ende dhe rezulton i zhdukur. Nga hetimet e deritanishme, policia ka evidentuar si shkak të aksidentit tragjik motin e keq, që ka sjellë edhe devijimin e makinës nga rruga drejt përroit. Pas gjetjes së tre trupave, në fshatin Gjopalaj në Shijak janë hapur dyert e zisë për këtë tragjedi të rëndë, që i mori jetën 4 familjarëve. Po dje, një gjimnaziste është përplasur nga një makinë, teksa po ecte në trotuar në Ksamil. Ngjarja ka ndodhur dje pranë shkollës së mesme të Ksamilit. Policia bën të ditur se e plagosura Emanuela Caca, maturante, është shtruar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa automjeti është larguar nga vendi i ngjarjes.
Viktimat
Baki Keçi, 43 vjeç
Mimoza Keçi, 39 vjeç
Renato Keçi, 14 vjeç
Arbër Keçi, 10 vjeç