E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, treni përplas dy gra pranë fshatit Gërdec

Dy gra kanë mbetur të vdekura pranë fshatit Gërdec, pasi janë përplasur nga treni, i cili bënte linjën Tiranë-Durrës. Ato kanë qenë duke ecur në rrugë, shumë afër hekurudhës, kështu që janë përplasur për vdekje nga lokomotiva. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se viktimat Marie Tuci dhe Mate Buçpepa kanë ndërruar jetë menjëherë pas përplasjes, pavarësisht se është ofruar ndihma e shpejtë. Sipas të dhënave nga policia, pas ngjarjes së rëndë të Gërdecit, një tjetër është regjistruar mesditën e djeshme. Mate Buçpepa, 65 vjeçe dhe Marie Tuci, 66 vjeçe, kanë qenë duke shkuar në shtëpitë e tyre, që ndodhen në fshatin Kashar. Ato kishin zbritur nga makina dhe po ecnin në këmbë në një rrugicë afër shinave të trenit. Policia tha se ato e kanë dëgjuar zhurmën e vagonëve, por nuk kanë menduar se ishin aq afër sa mund të përplaseshin prej tyre, kështu që kanë vazhduar rrugën të qeta. Por, kur lokomotiva është afruar pranë tyre, i ka përplasur, duke i aksidentuar rëndë. Menjëherë, makinisti ka ndaluar trenin e drejtuar prej tij dhe ka njoftuar për t‘u dhënë të dëmtuarave ndihmën e shpejtë mjekësore. Burimet policore bënë të ditur se për këtë ngjarje janë njoftuar rreth orës 15:00 dhe menjëherë në vendin e ngjarjes është nisur një grup hetimor. Shumë shpejt, vendi i ngjarjes është rrethuar nga uniformat blu, të cilat ndodheshin fare pranë. Sipas të dhënave, shërbimet e policisë, të cilat kishin shkuar në Vorë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe për të garantuar një tubim të qetë të banorëve të zonës, të cilët kishin paralajmëruar për bllokimin e autostradës Tiranë-Durrës, janë zhvendosur në vendin e aksidentit. Ndërkohë, dy të dëmtuarat janë nisur për në Spitalin Ushtarak, por ka qenë shumë vonë. Policia tha se ato kanë ndërruar jetë shumë shpejt. Nga ana tjetër, grupi hetimor ka shoqëruar makinistin e trenit, i cili ka dhënë deklarimet e tij në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Ai ka rrëfyer se gratë po ecnin pranë shinave të trenit dhe përplasja ishte e paevitueshme. Nga ana tjetër, grupi hetimor ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që dy viktimat janë dërguar në morgun e Tiranës, ku i janë nënshtruar autopsisë mjekoligjore. Ky nuk është rasti i parë që nga treni aksidentohen me vdekje njerëz të ndryshëm. Kohë më parë u regjistrua edhe një aksident tjetër tragjik, ku disa persona mbetën të vdekur, për shkak të përplasjes së mjetit të tyre me trenin. Ngjarja me përmasa tragjike solli në atë kohë edhe ndalimin e një makinisti, por nga hetimet e policisë rezultoi se ai ishte i pafajshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›