Spanja, 170 euro mbështetje për Avokatinë e Shtetit
Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Tiranë dhe ministri shqiptar i Drejtësisë, kanë nënshkruar të martën një memorandum mirëkuptimi për mbështetje ndaj institucionit të Avokaturës së Shtetit. Në marrëveshjen e firmosur ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Agjencisë Spanjolle të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID), parashikohej asistenca e kësaj të fundit në drejtim të konsolidimit të Avokaturës, si një strukturë mjaft e rëndësishme e funksionimit të shtetit ligjor. Në kuadër të këtij memorandumi, Mbretëria e Spanjës angazhohet të mbështesë Republikën e Shqipërisë në forcimin dhe konsolidimin e Avokatisë së Shtetit. Asistenca financiare prej 170.000 eurosh do të mbështesë realizimin e një projekti trajnues për Avokaturën e Shtetit. Ministri i Drejtësisë në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit ka vlerësuar ndihmën e Mbretërisë së Spanjës në drejtim të sistemit të drejtësisë shqiptare, si dhe ka siguruar për përkushtimin e zyrtarëve të dikasterit që ai drejton për të ngritur në një nivel më të lartë cilësor punën e Avokatisë së Shtetit.