E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, vdes babai, plagosen rëndë tre fëmijët dhe mbesa e tij

Një 52-vjeçar ka vdekur në vend, ndërsa tre fëmijët dhe mbesa e tij janë plagosur rëndë në një aksident automobilistik të ndodhur në Rrethin e Matit. Ngjarja e rëndë ndodhi në mbrëmjen e së premtes, gjatë orëve të vona, kur makina tip "Mercedes Benz", e drejtuar nga 52-vjeçari Isuf Ndoi, që udhëtonte në aksin rrugor nacional Milot-Burrel, doli nga rruga në vendin e quajtur Ura e Ulzës dhe përfundoi në liqen. Drejtuesi i mjetit ka vdekur në vend, ndërsa tre fëmijët, djali Veli Ndoi, 24 vjeç, dy vajzat, Kozeta dhe Suzana Ndoi, 23 e 19 vjeç, si dhe mbesa e tij, Natasha Bruçi, janë plagosur në gjendje të rëndë. Viktima ka përfunduar në morgun e spitalit të Lezhës, ndërsa katër të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, për të marrë një ndihmë mjekësore më të kualifikuar, pasi mjekët e Lezhës konstatuan se ata ishin në gjendje të rëndë shëndetësore. Burime nga ky spital, dje, bënë me dije se katër të plagosurit, edhe pse në reanimacion, kanë dalë jashtë rrezikut për jetën. Familjarët e viktimës, nga fshati Karricë i Rrethit të Matit, që shkuan për të marrë kufomën e 52-vjeçarit në spitalin e Lezhës, ankohen se nuk kanë mundur ta marrin atë pasi, nuk ka ardhur mjeku ekspert i këtij spitali për të bërë ekspertizën. Burime nga policia bëjnë me dije për "Shqip" se grupi i ekspertëve të policisë po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë ku humbi jetën 52-vjeçari Isuf Ndoi dhe u plagosën katër fëmijët e kësaj familjeje. Por, sipas policisë, mendohet se shkaku i aksidentit ishte shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte mjeti, gjë që ka sjellë humbjen e kontrollit të makinës nga viktima. Për pasojë, makina ka dalë jashtë rruge, duke përfunduar në Liqenin e Ulzës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›