E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimet shoqërore, falen gjobat dhe kamatëvonesat

Bizneset e vogla apo të mëdha, fermerët të cilët nuk kanë paguar sigurimet shëndetësore dhe ato shoqërore, kanë mundësi të përfitojnë nga ligji më i fundit që ka miratuar qeveria.

Zbardhet relacioni i ligjit "Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore, detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve dhe të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe të gjobave dhe kamatëvonesave të papaguara të sigurimeve shoqërore të detyrueshme dhe shëndetësore", i miratuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave. Ky ligj, krahas faljes për subjektet që rezultojnë me detyrime, fal një pjesë të detyrimeve të biznesit të vogël, kamatëvonesat për subjektet e biznesit të madh, biznesit të vogël dhe për të vetëpunësuarit në bujqësi. Kjo, me kusht që detyrimet për kontributet të arkëtohen brenda afatit të përcaktuar.

Gjobat dhe kamatëvonesat falen për ndërmarrjet dhe shoqëritë me kapital tërësisht shtetëror, institucionet shtetërore, buxhetore dhe jobuxhetore, ndërmarrjet dhe shoqëritë me kapital të përbashkët me shtetin. Personave juridikë e fizikë u falen 100 për qind gjobat dhe kamatëvonesat e papaguara deri në 6 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Detyrimet

Në bazë të ligjit të miratuar, falen të gjitha detyrimet e papaguara për personat fizikë të punësuar, të cilët e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre ekonomik, përpara datës 31.12.2005 dhe që gjenden debitorë të evidentuar dhe kontabilizuar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Në këtë kuadër, falen detyrimet për kontributet e sigurimeve shoqërore që gjenden të evidentuara në llogaritë e organeve të sigurimeve shoqërore, të papaguara për 6169 subjekte të biznesit të vogël, me një vlerë prej 181.384.000 lekësh detyrim për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe 100.708.000 lekë kamatëvonesa. Këto janë subjekte të biznesit të vogël, që kanë ndërprerë aktivitetin para datës 31.12.2005. Këto subjekte kryesisht janë pa aktivitet, që nuk kanë paguar prej vitesh si detyrimet tatimore, ashtu dhe ato të sigurimeve shoqërore, por që ligjërisht nuk e kanë mbyllur aktivitetin e tyre. Me faljen e detyrimeve, kontributeve dhe kamatëvonesave, u jepet dhe një mundësi për të rinisur aktivitetin ekonomik. Kjo mundësi jepet dhe në kuadrin e uljes së masës së kontributeve, që u bë duke nisur nga data 1.09.2006, si dhe parashikimit për ulje të mëtejshme të masës së kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Fermerët

Në kuadër të miratimit të këtij ligji, favori që i bëhet fermerëve është i konsiderueshëm. Ai diktohet nga fakti që fermerët sigurojnë periudha të kaluara me ato masa kontributesh që kanë qenë në vitet respektive. Kjo do të thotë që fermeri mund të sigurojë periudha të mëparshme, që nisin nga 1.10.1993 me ato masa kontributesh të miratuara në vitet respektive, të cilat janë mjaft simbolike pa i ngarkuar këto masa me kamatëvonesa, sipas viteve përkatëse. Ky favorizim diktohet nga gjendja akoma e pakonsoliduar e ekonomive fshatare, nga nevoja për rritjen e mëtejshme të kontribuuesve në fshat dhe sensibilizimin e fermerëve për t‘u siguruar. Përfitimi nga sigurimi i fermerëve bëhet më konkret dhe nga favoret që jep legjislacioni i sigurimeve shoqërore në këtë fushë. Kështu, fermeri me 50 për qind të vjetërsisë në këtë skemë, kur plotëson moshën dhe vjetërsinë e përgjithshme prej jo më pak se 35 vitesh, përfiton pensionin, ashtu sikurse kontribuuesit në qytet.

Të vetëpunësuarit në bujqësi

Fermerët që nuk plotësojnë

gjysmën e vjetërsisë

Fermerët që nuk e plotësojnë 1/2 e vjetërsisë në punë, si të vetëpunësuar në bujqësi, këtu duke përfshirë edhe vitet e punës që mund të kenë në ish-ndërmarrjet bujqësore, apo në shërbimin ushtarak, përfitojnë një pension të ndërmjetëm. Këtu, pensioni i lidhur si pension kooperative bujqësore, rritet me 1 për qind për çdo vit të siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi.

Janë klasifikuar si zona malore dhe rrjedhimisht përfitojnë lehtësira më të mëdha, të vetëpunësuarit që ushtrojnë aktivitet bujqësor e blegtoral në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë e Tropojë.

Tab

Me pagesat e kontributeve

të fermerëve përfitohen:

1. Të gjitha llojet e pensioneve, ashtu sikurse të vetëpunësuarit në qytete, (pensione pleqërie, invaliditeti dhe familjare).

2. Shpërblim dhe leje lindjeje.

3. Sigurim shëndetësor (vizita falas, shtrime në institucionet shëndetësore, rimbursime medikamentesh, ekzaminime falas).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›