E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një libër për gjykatë

1.

"Hanko" dhe përfundi "Hango" (o me dy pika), qëndronte shenja mbi stendën e vogël në shëtitoren detare të Helsinkit, dielli shndriste dhe ngrohte atë ditë, që ndryshe do të ishte e vjeshtës finlandeze e pothuajse fillimdimri kosovar, në bursat botërore ishte dita e tretë e rënies së përgjithshme të aksioneve përkundër ndërhyrjes shtetërore të blerjes bankare gjithandej Perëndimit e në New York sapo ishte miratuar Rezoluta serbe për vlerësimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

I kisha parë fjalët Hanko, Hango më parë në shenjë komunikacioni, në të hyrë në qytet. E pyeta shitësen, që kishte vënë ca peshq të konservuar për shitje se ç‘ishte shenja dhe ajo më tha "fish", peshq. I thashë që e di që po shet peshq, por ç‘është Hanko, e ajo më tha Hango, e kur e pyeta se ç‘është Hango më tha se është Hanko.

Do të ketë qenë një film surrealist, në të cilin u zura edhe unë. Një orë më herët, ish-presidenti finlandez na tha mua dhe një mikut tim kosovar, atë që pak a shumë ka përsëritur disa muaj (veshëve të shurdhër): "Kosova duhet të sillet ashtu çfarë është, si shtet i pavarur". Shitësja më thoshte se Hanko është Hango, dhe anasjelltas (më vonë do të marr vesh se është fjala për një qytezë që mban emrin finlandez Hanko dhe atë suedez Hango) dhe se peshqit janë peshq. Të vërtetave të vetëkuptueshme, ndonëse me pak më shumë ndërlikueshmëri, iu bashkuan bursat të cilat thanë se punët janë keq kur panë një fenomen krejtësisht të ri në kapitalizmin anglosakson: paraja publike amerikane e britanike investohet në banka private që janë para falimentimit.

Dhe në New York, sikundër të ishin ftuar prej Salvador Dali, të ringjallur për të krijuar edhe një ngjarje artistike prej absurdit të politikës, kundër Rezolutës serbe do të votojnë gjithsej gjashtë shtete: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Ishujt Marshall, Mikronezia, Nauru dhe Palau, bile jo as në këtë rend.

2.

Në këtë film u vetëftua profesori gjerman Marc Weller, duke më dërguar dorëshkrimin e librit të tij "Shtetësia e kontestuar", i cili do të dalë në "Oxford University Press" dhe posa të përkthehet në shqip nga "Koha", ku përshkruan nga aspekti i të së drejtës njëzet vitet e krizës së Kosovës, prej pezullimit të autonomisë më 1989 e deri te pavarësia.

Gati para dhjetë vjetësh, kjo mendje e ndritur do të ftohet nga Bujar Bukoshi, atëherë Kryeministër në ekzil i qeverisë së emërtuar nga dr. Rugova dhe kontestuar nga UÇK-ja, për ta këshilluar në çështjet juridike. Si një profesor i ri i Cambridge-it, kishte filluar t‘i dëgjohet zëri në ambientet akademike, por fjalët për të as për së largu nuk do të mbërrinin të përshkruanin kapacitetin juridik e intelektual dhe maturinë të cilën do ta shihnim në momentet dramatike të negociatave të Rambouillet, kur do të ishte njëri prej fanarëve të gjakftohtësisë dhe nacionalitetit, duke nxjerrë përparësi në formulimet juridike edhe me vendosjen e presjes pas njërës, e jo pas fjalës tjetër.

Gjakftohtësi, e cila e nxori te detyra thelbësore teorike, e analizës së Kosovës si një rast të evoluimit të së drejtës ndërkombëtare, në një sistem ndërkombëtar, të cilin e quan "post-modern": "Nëse shteti nuk është gjë tjetër pos akumulimi i fuqive publike të cilat i janë përcaktuar nga konstituentët e vet, atëherë pse disa prej konstituentëve nuk kanë të drejtë që ta tërheqin pëlqimin e tyre dhe ta braktisin këtë strukturë shtetërore për të ndërtuar një tjetër?". E, për t‘i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, autori i hyn tërë rrëfimit juridik, që nga vendosja e sistemit diskriminues në Kosovë e deri te "hyrja nga deriçka" e Kosovës në atë që është Kapitulli VII i Kartës së Përgjithshme të OKB-së, kapitull me të cilin autorizohet përdorimi i forcës nga shtetet anëtare.

3.

Libri i Weller-it është matur me incizimet e rokut të viteve shtatëdhjetë, me të cilat është rritur ai, incizim mono, jo stereo. Gjegjësisht, është incizim në një kanal, atë juridik, në elaborim të përpiktë, të dokumentuar dhe me interpretim i cili vetëm në ndonjë moment të rrallë tregon shenja të vogla emocioni (Si p.sh. kur përshkruan si Orwelliane aktet juridike të Serbisë me të cilat degradohen të drejtat qytetare të shqiptarëve).

Incizimi mono do ta përshkruante Weller-in racional, juristin brilant dhe njeriun që në fund të fundit kauzën e Kosovës e ngriti në kauzë të së drejtës për të cilën u angazhua krejtësisht pro-bono gjatë gjithë këtyre viteve të ndeshur me kanalin tjetër, atë të pështjellimit kosovar të cilin pakkush mund ta zbërthente.

Në atë kanal tjetër, Weller-i do të duhej të hynte në konkurrencë për të qenë këshilltar juridik në Rambouillet. Në vend të tij, juristit po aq të nevojshëm, profesorit amerikan Paul Williams apo diplomatit dhe mikut tonë të madh Morton Abramowitz, ndonjëherë në Kështjellë do të hynin si këshilltarë të kërkuar nga UÇK-ja një subkontraktues ndërtimi të ulët nga New York-u, i cili më së shumti dinte për lyerje apartamentesh, ndonjë profesor i varfër në dije i Universitetit paralel të Prishtinës (i cili çdo herë do të këshillonte "bën kështu, por bën edhe ashtu" kurdo që të paraqitej ndonjë dilemë) dhe një refugjat nga Shkodra në SHBA që do të mbeste i njohur si refuzues i marrëveshjes së Rambouillet-it, sepse me këtë marrëveshje po krijoheshin kushtet që Serbia të shiste derra pa doganë në tregun e Podujevës, anipse Podujeva nuk është posaçërisht e njohur për konsum të këtij lloj mishi.

Në negociatat e Vjenës, përkundër ofertës që prapë të angazhohet pro-bono, mezi do t‘i bëhet vendi. Javë pas jave, muaj pas muaji, Weller, në cilësinë e drejtorit të ECMI, Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve, do të angazhohej në pjesën kryesore të Paketës së Ahtisaarit, atë të drejtave minoritare, njëra prej pikave më të forta të Paketës që tërhoqi përkrahjen për pavarësinë e Kosovës, por jo edhe të ftohet për të këshilluar në mbledhjet e liderëve. Në kanalin tjetër, atë të konkurrencës, Weller, në vend të angazhimit për krijimin e një tërësie sistemore juridike do të ndeshej me skenat të cilat nuk i ka paramenduar as në film. Si, për shembull, njërin prej deputetëve minoritarë të Kuvendit të Kosovës, i cili kishte idenë brilante që në kuadër të procesit negociator të kërkonte viza për "këshilltarët" e tij ashkalinj, në këmbim të një shume parash.

4.

Rezoluta serbe në OKB, sipas fjalëve të politikanëve të tyre, e nxori çështjen e Kosovës nga rrafshi i politikës në rrafshin e së drejtës. Në fakt, në filmin surrealist të kësaj jave, vota e kësaj jave sikur të ishte porositur nga vet Weller-i, për të hyrë në kapitullin e fundit të librit të tij, në botimin e dytë, vitin e ardhshëm. Sepse, sikur të ishte përgatitur për mbrojtjen juridike, Weller-i nxjerr si njërin prej argumenteve kyçe që përshkon këtë libër atë se e drejta ka evoluar së bashku me Kosovën. Gjegjësisht, se rruga e Kosovës prej suspendimit të autonomisë në pavarësinë "fillimisht të mbikëqyrur", e pa sanksionim të KS të OKB, është po ashtu rruga e tërë një kapitulli në të drejtën, e debatuar pas gjenocidit dhe Luftës së Dytë Botërore, të "obligimit për të mbrojtur", gjegjësisht të obligimit që kanë shtetet me aftësi të këtilla për të mbrojtur popujt që janë të persekutuar deri në shfarosje.

Libri i Weller-it nuk ka mundur të gjejë kohë më të mirë dalje. Jo vetëm pse është i vetmi, por është rekapitullim i plotë i një çështjeje juridike që tërhiqet zvarrë që 20 vjet, dhe një rekapitullim i punës së një njeriu, i cili iu qas Kosovës si një model studimi për t‘u zhytur gjithnjë e më thellë, bile edhe emocionalisht në të. Dhe, me nivelin e tashmë njërit prej juristëve të rangut të lartë ndërkombëtar, jo vetëm për nga praktika, por edhe sfondi teorik, Weller ia ofron këtë libër si mbrojtje në fazën e ardhshme të kontestit juridik të Kosovës.

Hango është Hanko, peshqit janë peshq, Kosova do të duhej të sillej si shtet, katër fuqitë që e kundërshtuan Serbinë, së bashku me Amerikën e Shqipërinë ishin Ishujt Marshall, Mikronezia, Nauru dhe Palau dhe librin më të mirë për mbrojtjen e Kosovës ende nuk e ka shkruar një kosovar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›