E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: është koha për integrim dhe jo izolim

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka qenë i ftuar të flasë përpara të pranishmëve në një takim të organizuar nga e majta italiane për të ardhmen e shoqërisë bashkëkohore. Kryesocialistit i është kërkuar nga organizatorët që të paraqesë përvojën e tij të suksesshme në Tiranë. Në fjalën e tij, Edi Rama vuri theksin te nevoja e një vizioni të ri evropian për pjesën e Ballkanit që ka mbetur ende jashtë Bashkimit Evropian. Ai nënvizoi se politika e vjetër e izolimit të këtyre popujve sjell efekte negative në procesin e rritjes dhe të zhvillimit të vetë vendeve të zhvilluara. Rama theksoi se është koha për integrim dhe jo izolim. "Në fakt, nuk është e vërtetë që politikat izoluese janë të suksesshme, pasi këta persona kanë nevojë të ndjehen pjesë e një bote të përbashkët, nëse nuk ndjehen pjesë e kësaj bote do jenë gjithnjë të prirur ta shkatërrojnë këtë botë", është shprehur Rama. Kurse ish-kryeministri italian, Massimo D‘Alema, dhe një ndër liderët e së majtës italiane, në një prononcim u shpreh se politika shqiptare ka qenë e dominuar nga ata që mund të cilësohen dhelpra të vjetra. Sipas tij, Rama është një potencial dhe një shpresë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Duke u ndalur te takimi mes dy grupeve, pra atij italian dhe shqiptar, D‘Alema theksoi se "është një përvojë shumë interesante e kësaj pune të përbashkët mes personaliteteve politike dhe intelektuale shqiptare dhe një grupi intelektualësh italianë. Ndërkohë, është një punë që vazhdon edhe në shenjë të fqinjësisë së mirë ndërmjet dy vendeve tona. Ky proces duket se ka nxjerrë në pah shumë ide interesante, sa i përket vlerësimit të rolit ndërkombëtar të Shqipërisë në Mesdhe dhe në politikat e bashkëpunimit e të paqes, si edhe politikave të zhvillimit për të krijuar vende pune, si dhe një model të ri energjetik që rivlerëson burimet natyrore shqiptare, një sistem të mbrojtjes sociale më efikas e shumë të tjera". Për D‘Alemën "e gjithë kjo punë do të ravijëzojë një perspektivë interesante të rinovimit dhe zhvillimit shqiptar". Lidhur me pyetjen se cila do të ishte këshilla e tij për Edi Ramën për të qenë një Kryeministër eficent nesër, D‘Alema i është përgjigjur se ai tashmë e njeh prej vitesh Edi Ramën. Sipas tij, "Rama ka qenë dhe është një kryetar i suksesshëm i Bashkisë së Tiranës dhe kjo paraqet një vlerë themelore. Ai mund t‘u demonstrojë qytetarëve shqiptarë se është një njeri që ka ditur dhe di të administrojë mirë çështjet publike. Edi Rama është një intelektual, një njeri që ka vizion evropian dhe për më tepër një njeri që është i njohur dhe i respektuar në Evropë". Unë tha D‘Alema "vetë e konsideroj si një potencial mjaft të fuqishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe për marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë". Më tej, ai ka theksuar se nuk bën parashikime elektorale. "Por, mund të bëj një urim në këtë pikë dhe këtë e bëj me shumë kënaqësi, në emër të miqësisë dhe mbështetjes", tha ai. Sipas tij, politika shqiptare ka qenë për një kohë të gjatë e mbërthyer nga ata që italianët i quajnë "dhelpra të vjetra". Ndërsa Edi Rama, sipas D‘Alemës, nga ky këndvështrim përfaqëson një gjeneratë të re dhe një mënyrë evropiane për të bërë politikë, kështu që unë mendoj se përfaqëson një shpresë shumë të rëndësishme për vendin tuaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›