ISKSH: Vitin tjetër, do t‘i menaxhojmë ne 42 spitale
Reforma e nisur dy vjet më parë në qendrat shëndetësore do të shtrihet edhe në spitalet rajonale të vendit. Hidhen diskutimet e para për caktimin në varësi të Institutit të Kujdesit Shëndetësor për 42 spitalet rajonale në të gjithë vendin. ISKSH ka nisur punën për përgatitjen e terrenit për shtrirjen e skemës së sigurimeve shëndetësore dhe futjen e spitaleve në skemë në vitin 2009. Kështu, viti i ri pritet të fusë në skemën e sigurimeve 42 spitalet e vendit. Drejtoresha e Institutit të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, deklaroi dje se kjo reformë do të përmirësojë ndjeshëm shërbimin mjekësor ndaj pacientëve, të cilin do ta përfitojnë falas. "Jemi në diskutime me Ministrinë e Shëndetësisë që, në fillim të vitit 2009, të vihen në skemën e sigurisë shëndetësore spitale rajonale, për të siguruar më pas edhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve", deklaroi drejtoresha e ISKSH-së. Sipas saj, futja e spitaleve në skemën e Kujdesit Shëndetësor synon jo vetëm të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj pacientit, por edhe shpërblimin e mjekëve, çka shpresohet të heqë çdo alibi për ryshfetin. Fillimisht, nuk do të rritet as pagesa individuale për sigurimin e kujdesit shëndetësor, por gjithçka do të mbulohet nga buxhetit i shtetit, kosto e cila paraprakisht përllogaritet 900 milionë lekë. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor është në negociata me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Financave, ku do të vendoset përfundimisht për mënyrën e futjes së spitaleve në skemën e sigurimeve. Por, nga ana tjetër, kërkohet që spitalet të arrijnë disa standarde, në mënyrë që ata të marrin financim nga ISKSH. "ISKSH do të kërkojë që menjëherë dhe spitalet e tjera rajonale të arrijnë në disa pika nivelin e spitalit të Durrësit, gjë e cila do të kërkojë natyrisht një buxhet shtesë që llogaritet paraprakisht në 10-15% mbi atë të alokuar tani për spitalet në tërësi. Kjo do të kërkojë të bëhen negociata me Ministrinë e Financave, nga ne dhe MSH për këtë shtesë të buxhetit", theksoi Hana. Sipas saj, ISKSH po punon për kontratat që do të ketë me spitalet rajonale, por edhe ato jorajonale. Kjo varet nga mënyra si do të përfshihen spitalet në skemë, nëse do të përfshihen me etapa, apo të gjithë njëherazi dhe kjo varet nga implikacionet buxhetore që do të ketë.