E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenca: Ja pse amnistuam të dënuarit

Zyra Juridike e Presidencës sqaron arsyet e dekretit të presidentit Topi dy ditë më parë duke falur 367 të dënuar


TIRANË- Presidenca sqaron rrethanat e faljes së 367 të dënuarve me burgim me anë të dekretit të dy ditëve më parë të Predidentit Bamir Topi. E ndikuar edhe nga reagimi publik pasi në listën e të falurve ishin edhe emra të njohur të botës së krimit, Drejtoria Juridike e Presidencës sqaron se falja është kryer bazuar mbi një serë kriteresh që përdoren në këto raste.


Sipas saj, për gjatë këtij procesi janë marrë në konsideratë rrethana të tilla si qenia i mitur në kohën e kryerjes së veprës penale; gjendja e rënduar shëndetësore dhe mosha e thyer, e cila nuk justifikonte vazhdimin e mëtejshëm të vuajtjes së dënimit si dhe fakti se disa të dënuar, sidomos gra ishin nëna të fëmijëve të mitur, një pjesë e të cilëve kishin mbetur pa kujdesin prindëror të asnjërit prind.


Gjithashtu sipas Drejtorisë Juridike të Presidencës falja e të dënurve është bërë duke marrë parasysh që vuajtja e dënimit për këta persona ia kishte arritur qëllimit duke i edukuar ata.


"Duke marrë parasysh se sipas referimit të bërë nga ana e institucioneve përgjegjëse mbi edukimin dhe rehabilitimin social të të dënuarve e pasi u bë e qartë se këta persona me sjelljen, punën dhe veprimet e tyre kishin provuar se me vuajtjen e dënimit e kishin përmbushur qëllimin për edukimin dhe rehabilitimin shoqëror, ndaj tyre u aplikua falje tërësisht / ose pjesërisht e dënimit të mbetur për të vuajtur", -citon presidenca.


Në listën e të falurve ishin edhe dy emra të njohur të piramidave të vitit 1997 Vehbi Alimuçaj ish-presidenti i VEFA-s dhe Fitim Kërxhalliu administrator i firmës "Gjallica".


Pavarësisht faljes së disa viteve burg, këta persona vazhdojnë të vuajnë pjesën e mbetur të dënimit. Dekreti i dy ditëve më parë i Presidentit Topi mund të cilësohet si më zemërgjëri ndër vite pas atij të ish-presidentit Berisha në vitin 1997.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›