Ekstradohet biznesmeni i tenderit të uniformave
Ilir Sula u soll dje nga Bullgaria, ndërsa është i akuzuar për korrupsion në tenderin e uniformave me vlerë 1.2 mln euro
TIRANË - Interpol-Tirana në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë bullgare, ekstraduan dje biznesmenin Ilir Sulo i akuzuar me gjashtë të tjerë në lidhje me paracaktimit e tenderit prej 1.2 milionë euro për blerjen e uniformave të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve në varësi të saj.
Lajmi pohohet nga burime zyrtare, sipas të cilëve Sulo mbërriti nga Bullgaria pak ditë pas anulimit të ekstradimit të tij për shkak të pezullimit të fluturimeve për shkak të hirit vullkanik.
Ndërkaq, burimet thanë se të dielën pritet verifikimi i masës së sigurisë, e dhënë në mungesë me "arrest shtëpie" për Sulon. Burimet e prokurorisë thanë se brenda javës që pritet që biznesmeni Sulo të pyetet për akuzat e ngritura ndaj tij për "korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" në bashkëpunim.
Ndërkohë, menjëherë pas mbërritjes në Rinas, Ilir Sulo është dërguar në banesën e tij, duke i komunikuar edhe masën e sigurisë dhënë nga Gjykata e Apelit. Nga autoritetet e drejtësisë bullgare është shqyrtuar një proces gjyqësor për ekzekutimin e kërkesës së shtetit shqiptar për ekstradimin e tij, ku edhe vetë i dyshuari Sulo ka kërkuar të ekstradohet për t'u ballafaquar me akuzat e ngritura ndaj tij.
Sipas prokurorisë, për të dyshuarin Sulo fillimisht është vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë masa e sigurisë në mungesë me "arrest me burg", vendim ky që i është dërguar autoritete bullgare për ekstradimin e tij sapo janë njoftuar për arrestimin e Sulos.
Më pas, Gjykata e Apelit vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie". Biznesmeni Ilir Sulo u arrestua nga policia bullgare në fillim të shkurtit, vetëm pak javë pas arrestimit në Shqipëri të gjashtë bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për të njëjtën çështje.
"Nga hetimet paraprake, ka rezultuar se Sulo është organizatori dhe përfituesi më i madh i shumës së tenderit të miratuar nga Këshilli i Ministrave për blerjen e uniformave me vlerë prej 1.2 milionë euro. Pasi dyshohet se ka marrë përsipër të paguajë gjysmën e 10 % të vlerës së tenderit, shumë që do shkonte në xhepat e zyrtarëve shtetërore.
Po kështu, ai dyshohet se kishte marrë përsipër të ishte personi që do dorëzonte paratë, që më pas do sillte edhe paracaktimin e fituesit të këtij tenderi të organizuar nga Drejtoria e Prokurimeve Publike pranë Ministrisë së Brendshme dhe Gardës së Republikës.
Bashkë me të akuzohen edhe Bujar Murati, ish-drejtor i Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Tahir Imami, ish-shef i Prokurimeve Publike në Gardës e Republikës, Redi Popesku, ish-specialist në Ministrinë e Integrimit. Ky i fundit luante rolin e ndërmjetësit. Tre tregtarët Agur Sadiku, Artan Berberi dhe Jani Gjergjefi, u liruan, nga Apeli dhe Gjykata e Lartë, pas arrestimit të tyre me vendim gjykate.