E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, vdes minatori duke punuar, i bie guri në kokë

Humb jetën sërish një minator në minierën e Bulqizës, duke e çuar në 16 numrin e personave që kanë vdekur në këtë vend gjatë dy vjetëve. Sipas burimeve të policisë, Ivzi Veseli humbi jetën në nivelin e 16-të, teksa po punonte për shpimin e tavanit, kur një pllakë u shkëput, duke e goditur atë në kokë e në trup. Edhe pse kolegët e tij janë përpjekur që ta ndihmojnë, nuk ia kanë arritur, pasi goditja e pësuar ka qenë fatale për 43-vjeçarin. Minatori ishte baba i tre fëmijëve dhe e siguronte jetesën e familjes së tij duke punuar në këtë vend. Përfaqësuesit e kësaj firme kanë deklaruar se ata do të lidhin pension për të tre fëmijët e minatorit që humbi jetën gjatë punës në minierë. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila ka nisur nga puna për zbardhjen e rrethanave. Është ngritur një grup pune, ku janë marrë edhe dëshmitë e para. Sipas burimeve të policisë, duket se shkak i vdekjes ka qenë pakujdesia e viktimës gjatë punës, si dhe mungesa e kushteve teknike.

Sipas dëshmive të para, 43-vjeçari Veseli, nga fshati Herbel i Maqellarës, ka qenë duke punuar brenda minierës, kur ka ndodhur fatkeqësia. Aksidenti ndodhi në nivelin e 16-të, ku para disa muajsh gjetën vdekjen edhe disa minatorë të tjerë. Në momentin e aksidentit, 43-vjeçari ka qenë duke shpuar në tavanin e ambientit të brendshëm dhe ka gjetur vdekjen, kur një pllakë guri është shkëputur nga lart. Kanë qenë kolegët e tij, të cilët e kanë gjetur trupin e pajetë të 50-vjeçarit, pas ndodhjes së këtij aksidenti të rëndë. Ata janë përpjekur që t’i japin atij ndihmën e parë, por goditja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar atij plagë të mëdha në kokë e trup. Në vendngjarje kanë shkuar edhe ekspertët e policisë, të cilët nisën hetimet në lidhje me këtë rast. Sipas tyre, vdekja e minatorit ishte aksident i shkaktuar nga pakujdesia dhe mungesa e kushteve teknike gjatë shpimit në tavan, gjë që i shkaktoi edhe vdekjen e menjëhershme minatorit.

Miniera e Bulqizës është një nga vendet ku ka pasur aksidente të shumta të minatorëve, të cilat kanë qenë edhe me pasojë vdekjen. Vetëm në dy vjet kanë humbur jetën 16 punonjës, duke e shndërruar këtë minierë në një nga vendet më të rrezikshme për të punuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›