Bujar Buzani përfiton statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë
Bujar Buzani, i pandehuri dhe i penduari që rrëfeu gjithçka që dinte për ditën e 22 majit 1997 para togave të zeza, në marrëveshje me prokurorinë, ka përfituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Marrëveshja është bërë gjatë procesit hetimor, ku Buzani ka rrëfyer me detaje, ashtu sikundër bëri edhe dy ditë më parë, gjithçka kishte parë vetë ditën e ngjarjes. Falë kësaj marrëveshjeje, Buzani përfiton mbrojtje nga shteti për vete dhe për familjen e tij, por njëkohësisht ky fakt ka favor edhe në masën e dënimit. Rrëfimi i bërë vetëm dy ditë më parë nga i penduari Bujar Buzani për ditën kur ndodhi masakra, organizatorët, si dhe si ndodhi futja në kurth e automjeteve të policisë dhe gardës, paraqitën pothuajse të gjithë skemën e masakrës së Cërrikut, ku më 23 maj të vitit 1997, mbetën të vrarë 6 gardistë. Burime nga akuza bëjnë të ditur për “standard” se ky shtetas ka shprehur pendesë dhe ka ofruar bashkëpunimin e tij për zbardhjen e krimeve të ndodhura në 22 maj 1997, qysh pas rinisjes së hetimeve për masakrën. “Ekziston një marrëveshje me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe të pandehurit për përfitimin e statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ka shprehur pendesë për ato që kanë ndodhur, ngjarje që e patën zanafillën në mashtrimin që përdorën disa persona, duke shfrytëzuar hasmëritë apo problemet që kishin disa familje në Cërrik, përfshi edhe atë të Buzanit dhe të afërmve të tij”, - u shprehën burimet nga akuza lidhur me rrëfimin e Buzanit dhe pendesën që i dha statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. “Do tregoj të vërtetën. Do tregoj çfarë më kanë parë sytë dhe çfarë më kanë dëgjuar veshët. Më kanë kërcënuar me jetë mua dhe familjen time”, - ka qenë fjalia rrëfyese e parë e Buzanit, e thënë vetëm para dy ditëve në gjykatë. Dëshmia e tij do të vijojë në seancën e ardhshme për të treguar se si kanë ecur ngjarjet pas krimit dhe vdekjes së gjashtë gardistëve dhe krimeve të tjera të kryera nga po e njëjta bandë. Pjesëtarët e bandës së Cërrikut janë dënuar nga Gjykata e Elbasanit për veprat penale, si vjedhje, grabitje, ndërkohë Bujar Buzani ka shprehur pendesë jo vetëm për veten, por edhe për vëllezërit e tij, si dhe kushërinjtë. Duke gëzuar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, i pandehuri ka përfituar mbrojtje të plotë nga marrëveshja e firmosur për këtë status. Bujar Buzani ka dhënë një ndihmë të madhe për zbardhjen e hetimeve nga prokuroria dhe ndërkohë këtë status e ka fituar që në procesin hetimor. Masakra e Cërrikut ndodhi më 23 maj të vitit 1997 nga banda e Cërrikut me policinë e gardën, ku mbetën të vdekur disa persona. Pjesëtarët e bandës së Cërrikut, të cilët të mashtruar nga Met Bozi, Roland Xhepexhiu e Llazar Bicja, organizuan një luftë të vërtetë kundër forcave të policisë dhe gardës, nga frika se do u bastisnin shtëpitë, përdhunonin gratë dhe motrat dhe do vrisnin ata vetë. Të gjitha këto motive, sipas të penduarit Buzani, kanë dalë nga goja e Roland Xhepexhiut dhe e Met Bozit.