Prokuroi; Të rritet dënimi në 25 vjet për Ibrahim Gecin
Një burgim i përjetshëm dhe 50 vjet burg për vrasjen e mjekut nga Hasi, Behar Kastrati. Kjo ishte kërkesa e prokurorit të Apelit për Krime të Rënda, i cili për rreth një orë paraqiti dje faqet e pretencës me akuzat, provat, dëshmitë që provonin fajësinë e tre të pandehurve, Qamil e Abedin Rexhaj, si dhe Ibrahim Gecit. Prokurori shpjegoi arsyet e apelimit të vendimit të gjyqtarëve të shkallës së parë, duke theksuar se “vendimi është apeluar nga organi i akuzës vetëm për të pandehurin Ibrahim Geci, për të cilin kërkojmë dënimin nga 20 vjet me 25 vjet burg, pasi është dënuar vetëm 6 muaj për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. Për këtë akuzë kërkojmë dënimin me 5 vjet burg dhe përfundimisht së bashku me vrasjen, 25 vjet burg”. Më tej, procesi gjyqësor vijoi me pretendimet e palës mbrojtëse, të cilët me argumentet e tyre rrëzonin akuzat e prokurorit, duke paraqitur si prova të njëjtat që kanë paraqitur gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallën e parë. Në përfundim të procesit, togat e zeza u tërhoqën për vendim, i cili do të shpallet pas disa ditësh. Dënimi më i rëndë u kërkua sërish për të pandehurin Qamil Rexha, i cili u cilësua si organizatori dhe ekzekutori i mjekut Kastrati, ndërsa për të pandehurit Abedin Rexha e Ibrahim Geci u kërkua nga 25 vjet burg për secilin, duke i konsideruar si bashkëpunëtorë në vrasje. Përveç kësaj mase dënimi, prokurori kërkoi dënimin e tre të pandehurve edhe me 16 milionë lekë gjobë. Të pandehurit nuk kanë reaguar ndaj pretencës, ndërkohë që gjatë gjithë kohës kanë mohuar kategorikisht akuzën, me pretendimin se nuk kanë pasur asnjë arsye për të rrëmbyer dhe më pas vrarë mjekun Kastrati. Tre të pandehurit akuzohen në bashkëpunim për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e doktorit dhe njëkohësisht kryetar i PD-së në Has, Behar Kastrati, i cili u mor peng tri vite më parë. Kastrati u rrëmbye më 7 korrik të 2005-ës dhe vetëm 20 ditë më pas u gjet trupi i tij i pajetë.