Ilir Meta fajëson edhe OSBE-së për kodin e ri zgjedhor
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, fajëson faktorin ndërkombëtar në Shqipëri për zgjedhje problematike në Shqipëri. Një ditë pasi ambasadori i kësaj organizate në Shqipëri shprehu mbështetjen parimore për kërkesat e LSI-së për t’u përfaqësuar në administrimin e zgjedhjeve, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, edhe pse nuk pranoi të komentonte direkt deklaratat e Boshit dy ditë më parë, sërish konsideroi se përveç politikës shqiptare, që është faktori kryesor për zgjedhje problematike në Shqipëri, faktori tjetër mbetet edhe OSBE-ja, e cila sipas tij, ka qëndrime parimore, por jo konsistente në kryerjen e reformës zgjedhore që i paraprin zhvillimit të procesit zgjedhor. “Nuk është detyra ime të interpretoj deklaratat e ambasadorit të OSBE-së dhe të asnjë ambasadori tjetër. Njëkohësisht, unë dua të them se OSBE-ja ka një rekord negativ për sa i takon historisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Ka bërë shumë pak për të parandaluar ato fenomene, të cilat kanë qenë tërësisht të pritshme dhe të paralajmëruara”, - tha Meta, duke shtuar se “OSBE-ja gjithnjë rekomandimet pas zgjedhjeve, për zgjedhjet e ardhshme i ka pasur konstruktive, por nuk u ka qëndruar në mënyrë konsistente, duke marrë në njëfarë mënyre dhe përgjegjësitë e saj për çështjet e zgjedhjeve në Shqipëri”. Për të konkretizuar deklaratën e mësipërme, Meta konsideroi politikën shqiptare fajtoren kryesore për zgjedhje problematike në vend. Në rastin konkret, OSBE-ja ka mbajtur qëndrim parimor për transparencë e gjithëpërfshirje, ndërsa dy forcat politike në vend, PD e PS, e kanë monopolizuar atë. “Në radhë të parë, përgjegjësia e problemeve të zgjedhjeve ka qenë dhe mbetet e klasës politike në vend. Rekomandimi kryesor i OSBE-së ka qenë rritja e gjithëpërfshirjes dhe mendoj që ky ka qenë një qëndrim shumë parimor dhe rezultati i reformës Xhafa-Rusmali është pikërisht monopolizimi i procesit dhe jo gjithëpërfshirja”, - cilësoi Meta. Nisur nga kjo, ai kërkoi që partnerët ndërkombëtarë të shprehen qartë për domosdoshmërinë e gjithëpërfshirjes reale dhe jo fiktive të të gjithë aktorëve kryesorë politikë në vend. Dy ditë më parë, LSI-ja protestoi para selisë së OSBE-së në Tiranë. Pak minuta pasi filloi kjo protestë, ambasadori Bosh deklaroi para protestuese se mbështeste një reformë gjithëpërfshirëse dhe ky ishte qëndrimi zyrtar i OSBE-së. Madje, ai shtoi se OSBE-ja është për një formulë 8+1 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pavarësisht mbështetjes, ai deklaroi se qëndrimi i OSBE-së është parimor, por nuk mund të dalë kurrsesi kundër vendimeve të Kuvendit shqiptar. Njëkohësisht Meta u shpreh dje edhe për deklaratat e kreut të PSD-së, Gjinushit, sipas të cilit anëtari i KQZ-së i përket partisë së tij. Meta pranoi se jo vetëm Gjinushi, por të gjitha partitë e tjera meritojnë të jenë të përfaqësuara në KQZ.