E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori: Për Braun, të shtohet 1 rast tjetër abuzimi dhe masa e dënimit

Prokurori Kol Hysenaj i kërkoi dje gjykatës që për të pandehurit britanik, David Braun, të shtohet edhe një rast tjetër abuzimi, si dhe masa e dënimit. Ky deklarim i prokurorit ka ardhur në kohën kur i pandehuri, i cili ndodhet në prag të shpalljes së vendimit, pretendon pafajësi dhe lirim nga burgu, madje edhe dëmshpërblim për burgim të padrejtë gjatë këtyre 29 muajve. Deklarimi i prokurorit të çështjes erdhi gjatë replikës së tij me palën mbrojtëse, duke i bërë të ditur gjykatës se avokatja Gjystina Golloshi kishte deklaruar më parë se klienti i saj kishte shkuar një javë në Vlorë me të miturin Marges Godsube. Sipas prokurorit, vetë mbrojtja në deklarimet e saj ishte shprehur se klienti i saj kishte fjetur me fëmijën në të njëjtën dhomë, si dhe e kishte puthur në faqe. Kjo deklaratë, sipas akuzës, është një nga momentet që nis verifikimin e akuzës në ngarkim të të pandehurit. “Në përgjigjen që ka mbërritur në prokurori për të pandehurin Dino Kristodulu bënte me dije se David Braun kishte abuzuar me fëmijët. Ai ishte xheloz kur ata u qëndronin afër apo u afroheshin të tjerë persona”, - ka shpjeguar prokurori. Akuza ka shtuar më tej se mbrojtja ka deklaruar në lidhje me letrat që i kanë dërguar fëmijët në qeli të pandehurit, se nëse do të verifikoheshin të gjitha rastet e abuzimit, atëherë nuk do të kërkohej 20 vjet burgim për Braun, por shumë më tepër. “Avokatja ka bërë me dije se ka parë kushtet që ishin në qendër dhe mënyrën se si trajtoheshin fëmijët. Për këtë avokatja, duhet të kishte qenë dëshmitare në këtë proces dhe jo të ishte mbrojtëse ligjore e të pandehurit. Ndërsa në lidhje me nënndarjet, kushtet e shtëpisë, mënyrën se si trajtoheshin dhe ushqeheshin fëmijët etj., do të ishte më mirë që mbrojtja t’ia bënte me dije Ministrisë së Punëve Publike të Çështjeve Sociale, pasi nuk kanë lidhje me këtë proces”, - ka deklaruar dje prokurori.

Reagimi i Braun

Pas fjalës së prokurorit, vetë i pandehuri David Braun u shpreh se ai nuk kishte abuzuar me fëmijët. “Unë e di që ju do të vendosni për jetën time mbi veprimtarinë që kam pasur në shtetin shqiptar. Jam njeri i ndershëm. Për të dy fëmijët që akuzohem se kam abuzuar me ta, unë iu kam shpëtuar jetën, duke i nxjerrë nga gjendja në të cilën ata ndodheshin. Denis Aliu ishte i abuzuar që kur unë e kam marrë nga rruga. Kujdesi im për këta fëmijë ka qenë siç mund të kujdesesha për trupin tim, si një baba për ta. Në lidhje me Denis Aliun e pranoj që ai ka ardhur në krevatin tim, por unë nuk kam abuzuar me të”, - ka deklaruar i pandehuri David Braun gjatë replikës me prokurorin. Braun deklaroi se në vendin tonë kishte ardhur për të ndihmuar fëmijët, si dhe kishte punuar fort për të arritur përmirësimin. “Si konkluzion po e lë jetën time në duart tuaja dhe vendimi të mos merret siç do prokurori, por të vlerësohet ajo që kam bërë unë për këta fëmijë. Deklaroj se nuk kam abuzuar me fëmijët, e deklaroj edhe para Zotit”, - ka mbyllur deklarimin e tij i pandehuri. Ndërsa avokatja deklaroi se thëniet e dy fëmijëve, Denis Aliu dhe Anton Qoshli, janë të papërgjegjshme. Klienti i saj nuk ka hepatit B siç ka deklaruar edhe prokurori. “David Braun prej 29 muajsh është peng i prokurorisë për të shkuar thellë në hetime, por nuk ka provuar se Anton Qoshli është i papërgjegjshëm. David Braun është impotent. Ka qenë që kur drejtonte fondacionin, gjatë hetimeve dhe gjatë gjykimit të tij”, - shtoi avokatja, duke shtuar se ajo nuk ka frikë që t’i lërë fëmijët e saj me të pandehurit. Kjo seancë replikash mes palëve u caktua nga gjykata me kërkesë të palës mbrojtëse, me qëllim që t’u jepte mundësi për deklarime të fundit lidhur me akuzat dhe pretendimet që kishin palët për njëra-tjetrën. Gjykata e ka shtyrë procesin gjyqësor për në datën 19 nëntor, për të shpallur vendimin përfundimtar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›