E Diel, 1 Nëntor 2026

Taso, “fenomeni i Pogradecit” në Galerinë Kombëtare të Arteve



Petrika GROSI
Nga datsa 16 deri më 30 shtator do të jetë e hapur për publikun në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë ekspozita e piktorit të njohur pogradecar Anastas Kostandini (Taso). Ekspozita që titullohet “Vvine day” dhe që ka për kurator Ylli Drishtin përmban 40 vepra të autorit Taso në teknikat e vajit dhe mikse. Punët i përkasin periudhës 2004-2008. Nga piktori Kostandini Galeria Kombëtare e Arteve ruan në fondin e vet një koleksion prej 20 veprash të arkivuara që në vitin 1979. Ato janë kryesisht të grafikës në dru dhe punime në vaj. Taso njihet nga publiku për mënyrën e tij të veçantë e realiste të pikturimit, të një realizmi magjik, por ai ka shfaqur edhe prirje drejt kubizmit dhe shpesh në punimet e tij kalon nga realja te irrealja, nga përfytyrimet e imazheve gjysëmabstrakte drejt dekorativitetit, nga një tonalitet i ngrohtë gati monokrom në dizonanca koloristike. Ja si do të shprehej një nga kritikët shqiptarë të artit, prof. Dr. Gazmend Leka: “…Taso është një fenomen për mua… te Pogradeci ai sheh gjithçka, tamam si një fallxhor që i mjafton një filxhan kafeje për të kuptuar të ardhmen, edhe atij një gur i këtij vendi i jep vizione; Ai gati-gati është profetik. Për mua, Taso është ndër piktorët e mëdhenj shqiptarë, një emër që do të rezistojë dhe e vërteta e pikturës së tij, dëshmia e tij nëpër telajo dalëngadalë do të njihet nga njerëzit.”

16 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›