Genti Tavanxhiu garon për Shqipërinë në festivalin e Sulmonas
Artisti shqiptar me origjinë nga Shkodra që jeton e punon në Itali është ftuar të marrë pjesë në edicionin XXXV të konkursit ndërkombëtar të artit bashkëkohor të Sulmona-s. Ky eveniment ka startuar prej dy ditësh në shtetin fqinj dhe do të vazhdojë deri në datën 18 shtator 2008, ku do të shpallë më të mirët.
Fortësia e gurit është proverbiale. Guri dhe shkëmbi futen direkt mes simboleve të forcës dhe kurrajës që jo vetëm arti dhe letërsia i kanë përshkruar e përdorur si simbole, por që gjithmonë të ngjallin atë ndjesinë e sigurisë, forcës, duke të mbajtur larg dyshimeve, pasigurisë dhe melankolisë. Por guri që të marrë modele dhe forma ka nevojë për një energji të made fizike dhe shpirtërore, që lidhet me përdorjen e daltave, çekiçëve dhe mjeshtërinë në goditjen e tyre. Disa herë goditjet janë të forta, gjithë dhunë e disa herë të ëmbla porsi ledhatime.
Në fund të këtij procesi shfaqet gjenialiteti i artistit. Genti Tavanxhiu quhet i riu shqiptar që tashmë është afirmuar si skulptor me punët e tij jo vetëm në Itali, por edhe më gjerë në mjediset internacionale. Ai prodhon punë artistike të mrekullueshme me gurin, të cilat shquhen sidomos për virtuozitetin. Gjithçka në veprat e artistit mund të përkufizohet mes tri botëve; arti i shenjtë, figurativi eksperimental dhe abstraktja. Artisti gëzon një sens të shkëlqyer të perfeksionizmit formal dhe gjithashtu një përgatitje të mirë nga studimet akademike. Punët e tij tashmë gjenden në të gjithë botën nëpër koleksione, galeri, muze, parqe e sheshe të ndryshme, në ekspozita e deri në festivale ndërkombëtare siç ishte ai i Kinës, apo edhe ky i tanishmi në Sulmona të Italisë.
P. GROSI
16 Shtator 2008