E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuniteti i biznesit nuk kreditohet dot në banka

27/02/2009  Uldedaj: Bankat të reflektojnë uljen e normës bazë nga BSH-ja

Norma bazë e interesit u ul nga Banka e Shqipërisë, por sërish kredia mbetet e shtrenjtë për bizneset. Në shumë vende të zhvilluara të Evropës, për shkak të ndikimit të krizës globale financiare bizneset përfitojnë kredi me interes shumë të ulët, çka nuk po ndodh në Shqipëri. Të gjendur përballë kësaj situate shumë biznese i bëjnë thirrje Bankës së Shqipërisë që të ndërmarrë masa për të ndihmuar bizneset që të përballojnë krizën.

Kërkesa

Bizneset në Shqipëri nuk po përfitojnë dot kredi në bankat e nivelit të dytë. Ndryshe nga situata në vendet e tjera të Evropës, kushtet për marrjen e një kredie për bizneset janë më të vështira. Kredia vijon të jetë e shtrenjtë. Për më tepër ende nuk ka asnjë veprim konkret apo masë që do të mundësonte lehtësimin e marrjes së një kredie më të lirë. “Nga komunikimet që kemi pasur me kompanitë vihet re një stepje e bankave për të kredituar biznesin e madh. Nga komunikimet që ka sistemi bankar është i shëndoshë. Mungesa e një kreditimi mund të japë efekte negative në zhvillimin e biznesit”, - theksoi kreu i Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj. Kreu i Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj, theksoi se masa e marrë nga BSH-ja për normën bazë të interesit është një veprim shumë i vlefshëm, por kjo duhet të reflektohet edhe nga bankat e nivelit të dytë. “Bëj thirrje që sistemi bankar duhet të jetë fleksibël në vazhdimin e kreditimit dhe të reflektojë interesat e ulura nga Banka e Shqipërisë tek kredimarrësi”, - tha Uldedaj.

Shqetësimi

Të njëjtin shqetësim ka shprehur pak kohë më parë edhe një prej grupimeve më të mëdha të biznesit, Konfindustria. Për Konfindustrinë, problem shqetësues janë edhe termat e kredidhënies relativisht mjaft të shtrenjta në tregun bankar shqiptar. Në këtë kuadër, Konfindustria vlerëson se në pamundësi objektive të shtetit për të ndërtuar paketa financiare sikundër vendet e zhvilluara të mjaftueshme për përballimin e pasojave të krizës globale, vëmendja duhet përqendruar në ndalimin e daljes jashtë në mënyrë të panevojshme të parave të shqiptarëve nëpërmjet pakësimit të kostove shtesë të përhershme, që rëndojnë në ekonominë shqiptare, apo përmirësimin e domosdoshëm të menaxhimit të sistemit bankar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ka një zvogëlim të portofolit të kredive për ndërtim e tregti nga ana e bankave në krahasim me një gjashtëmujor më parë.

Kursi i këmbimit

Përfaqësues të bizneseve më të mëdha në vend kërkojnë që të kenë një kurs më të stabilizuar të këmbimit të monedhës vendase me monedhën evropiane dhe atë amerikane, që kanë fituar shumë pikë ndaj lekut që prej fundit të vitit të kaluar. Veç kësaj, përfaqësues të biznesit kërkojnë nga autoriteti qendror financiar që të kontrollojë me instrumentet e veta, mënyrën se si monedha evropiane euro po del jashtë Shqipërisë, si dhe kushtet me të cilat bankat e nivelit të dytë japin kredi për biznesin. Sipas tyre, këto do të jenë një formë e ndihmës që do t’i ndihmojë për të kaluar periudhën e krizës.

Portofoli

Shpërndarja e kredidhënies sipas sektorëve të ekonomisë konfirmon se portofoli i kredisë dominohet në fund të 2008-s nga kreditimi i sektorëve të tregtisë me 24.8 për qind, të ndërtimit me 14.7 për qind dhe industrisë me 15.5 për qind. Ritmi i rritjes së portofolit të kredisë për individët është reduktuar në 41.0 për qind, sipas BSH-së, nga 67.7 për qind për vitin 2007, si pasojë e frenimit të ritmeve të rritjes vjetore të kredisë konsumatore. Portofoli i individëve është zhvendosur drejt kërkesës për blerjen e banesave, e cila në tremujorin e tretë të vitit të kaluar arriti në 66 për qind të këtij portofoli.

Apeli i Guvernatorit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u bëri thirrje bankierëve që të kreditojnë bizneset. Pak ditë më parë ai kërkoi më shumë mbështetje për industrinë eksportuese, e cila ka dhënë një kontribut konkret në rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. “Vlerësojeni më me kujdes rolin dhe potencialet e këtij biznesi, qëndrojini afër me këshilla dhe konsulentë financiare, rishikoni politikat tuaja të vendosjes së komisioneve për këtë biznes dhe jepini përparësi financimit më të madh të tij”, - apeloi Guvernatori, në praninë e përfaqësuesve të Shoqatës Shqiptare të Bankave. Sipas tij, aktualisht ekonomia shqiptare po ndikohet nga zhvillimet e raundit të dytë, që kanë prekur ekonomitë e zhvilluara të botës. Nga ana tjetër, zgjerimi i rrjetit të sistemit bankar, ulja e kostove të ndërmjetësimit dhe rritja e gamës së shërbimeve bankare, i shërben mbështetjes më të mirë të ekonomisë me kredi. Sipas BSH-së, teprica e kredisë është zgjeruar me 29 miliardë lekë në tremujorin e tretë të vitit 2008, duke ruajtur ritmet e larta të rritjes vjetore prej 43 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›