Qeveria shqiptare ndan me popullin kinez hidhërimin për humbjen e jetëve

Përmbytjet në Kinë, Berisha ngushëllon kryeministrin Jibao për humbjen e jetëve njerëzore
Kryeministri Sali Berisha ka shprehur keqardhje për humbjen e jetëve njerëzore dhe dëmet kolosale të shkaktuara nga përmbytjet në Kinë. Përmes një letre drejtuar kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës, Wen Jibao, Berisha shpreh ngushëllimet e tij, për humbjen e jetëve të qindra persona. “Me keqardhje të thellë mësova për fatkeqësitë natyrore, të shkaktuara nga përmbytjet dhe shirat e dendura në kantonin Zhouqu, të provincës Gansu, në veri perëndim të vendit Tuaj, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën qindra persona, si dhe janë shkaktuar dëme të tjera njerëzore e materiale. Më lejoni që, në këto çaste dhimbjeje, t’Ju shpreh në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave. Shqiptarët ndajnë me Ju, qeverinë dhe popullin mik kinez hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore, ndaj, edhe në emër të tyre, më lejoni t’Ju ripohoj ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor”- thuhet në letrën e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha.
...