E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, garancia e vetme për stabilitetin e Maqedonisë

Qeveria shqiptare përsërit dhe njëherë se respektimi i marrëveshjes konfirmon përparimin demokratik të të gjithë qytetarëve të vendit fqinj


Tirana zyrtare i kujton edhe njëherë autoriteteve të Shkupit se respektimi i Marrëveshjes së Ohrit, mbetet jetike për stabilitetin dhe paqen në Maqedoni. Kryediplomati shqiptar Ilir Meta, përmes një letre urimi drejtuar homologut të tij të Maqedonisë, Antonio Milloshoski me rastin e 9-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, vëren se është e rëndësishme mirëqenia dhe përparimi demokratik i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. “Besoj se ndajmë të njëjtin mendim se Marrëveshja e Ohrit ka rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë dhe se zbatimi i plotë i saj në të gjithë nivelet është garancia e vetme për sigurimin e stabilitetit, mirëkuptimit dhe mirëbesimit të brendshëm”- u shpreh zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Nr 2 i qeverisë shqiptare vijon më tej duke theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve përbën një model të shkëlqyer të fqinjësisë së mirë. “Përfitoj nga ky rast, i nderuar Koleg, të ripërsëris se bashkëpunimi midis dy vendeve tona përbën një model të shkëlqyer të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe të rikonfirmoj vullnetin për zgjerimin dhe konkretizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, në interes dy popujve tanë miq, të paqes e stabilitetit në rajon”- thekson më tej, Meta. Në fund të mesazhit të tij, z. Meta shpreh bindjen e tij se “vetëm me vullnet politik pozitiv dhe bashkëpunim konkret praktik në të gjitha fushat bëjmë më të mirën për realizimin sa më shpejt të qëllimeve të përbashkëta për integrim në strukturat evropiane dhe për zhvillimin e qëndrueshëm e demokratik të rajonit tonë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›