Aksidentohen dy të afërmit e punëtorit të autostradës
Rrezikon shtimin e numrit të viktimave aksidenti i ndodhur në urën e autostradës Durrës-Morin. Dy të afërm të punëtorit shqiptar të vdekur, Arben Muçmata, u aksidentuan gjatë rrugës, duke tentuar të arrijnë orarin e ceremonisë së varrimit. Burime të policisë pohojnë se Ismen Muçmata, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës dhe e shoqja, Hajrie Muçmata, juriste e KLD-së, u përplasën me makinën e tyre në rrugën Rrëshen-Thirrë. Autovetura me targë TR 0014 R ka humbur kontrollin dhe për pasojë burrë e grua pësuan lëndime. Ata u dërguan për në spitalin e Kukësit, ku iu është dhënë ndihma e parë e më pas në Tiranë, por sipas mjekëve janë jashtë rreziku për jetën. Trupi i punëtorit 41-vjeçar të aksidentuar, baba i tre fëmijëve është përcjellë për në banesën e fundit rreth orës 14:00, ku të pranishëm ishin dhe përfaqësues të firmës ndërtuese “Alb-building”. Bashkë me të humbi jetën dhe punëtori maqedonas, Vacno Svetkov, 49 vjeç, në kohën kur u rrëzuan nga ura 40 metra e lartë, ku po montonin panelet e betonit. Trupi i punëtorit maqedonas është përcjellë për në vendlindjen e tij. Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria e Kukësit lëshoi mesditën e djeshme urdhrin e arrestit me burg për manovratorin e vinçit, 40-vjeçarin Astrit Kita, banor i Tiranës. Ditën e djeshme, një grup hetimor i policisë dhe Prokurorisë së Kukësit kanë shkuar sërish në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik pasditen e së hënës. Ata kanë bërë këqyrjen më të imtësishme të vendit, duke hartuar edhe raportin hetimor. Ky raport nuk jep përfundimisht shkakun e aksidentit, por thuhet se Kita do të hetohet për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë e sipër. Në pyetje janë marrë dhe drejtues të tjerë të firmës “Alb-building”, e cila ndërton një lot në segmentin Kolsh-Muç Mamëz, në pjesën që lidh tunelin me Kukësin. Në raportin e hartuar nga ekspertët thuhet se gjatë ngritjes së një shine me peshë 3 ton, e cila do të vihej në këmbëzën e urës nga manovratori Kita, ajo ka rrëshqitur nga kavot që e mbanin lidhur dhe ka rënë në tokë duke prishur ekuilibrin e krahut të vinçit. Si pasojë e peshës ajo ka rrëzuar nga lartësia e madhe dhe dy punëtorët, të cilët kanë gjetur vdekjen e menjëhershme.