E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Radhimës, dy muaj pa ujë të pijshëm

 

VLORE - Rreth 180 familje të fshatit Radhimë, prej më shumë se dy muajsh janë pa ujë të pijshëm. Sipas banorëve, jeta e tyre është bërë shumë e vështirë pasi në çezmat nuk ka asnjë pikë ujë, as për të pirë dhe as për t’u larë. Ata akuzojnë si shkaktarë të kësaj situate drejtorinë e ujësjellësit të Orikumit dhe të Tragjasit që nuk ka marrë masa për saldimin e tubacioneve që janë çarë ose zëvendësimin e tyre. “Jemi ankuar vazhdimisht në Bashkinë e Orikumit, por janë mjaftuar duke na thënë se së shpejti do të ndërrojmë një pjesë të tubacioneve, si dhe do të ndërrojmë pompën e furnizimit, e cila është me defekt. Kanë kaluar dy muaj dhe asnjë masë nuk është marrë”, u shprehën banorët. Sipas përfaqësuesve të ujësjellësit, linja e ujit të pijshëm nga Tragjasi ku merret uji e deri në Radhimë është shtrirë para 25 vitesh. Gjatë këtyre viteve ajo ka pësuar amortizim, pasi është çarë në disa vende. Edhe pse është riparuar disa herë, sërish tubacionet janë çarë. Mësohet se në fshatin Tragjas, një biznesmen ka ndërtuar një objekt mbi tubacionin kryesor të ujit, duke sjellë edhe anomali në furnizim. Është dashur që disa herë të ndërrohen tubacionet duke devijuar ndërtesën, por presioni i madh i ujit ka çarë sërish tubot. Për të përballuar këtë situatë, mësohet se është porositur në Maqedoni tubacioni, i cili do të sillet sot për të zëvendësuar atë të vjetrin. Sipas specialistëve të ujësjellësit, brenda dy ditëve, banorët e Radhimës do të furnizohen me ujë.            q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›