E Diel, 1 Nëntor 2026

Belgët: Lehtësira Shqipërisë për vizat

 

TIRANE - Marrja e presidencës së Bashkimit Evropian nga Belgjika vitin që vjen pritet që të sjellë lehtësira për Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave. Ky ka qenë premtimi që bëri dje komisioneri i Përgjithshëm i Policisë Federale të Belgjikës, Fernand Koekelberg, gjatë nënshkrimit të planit e përbashkët të veprimit për vitin e ardhshëm, me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj. “Për të nënvizuar rëndësinë që Belgjika i jep Ballkanit dhe në veçanti Shqipërisë, po ju bëj me dije faktin që gjatë vitit 2010 kur Belgjika do të ketë presidencën e Bashkimit Evropian, ne kemi zgjedhur Tiranën për takimin e oficerëve ndërlidhës të të gjithë Evropës për Ballkanin, dhe kjo tregon rolin dhe rëndësinë që i japim Shqipërisë. Kjo do i shërbejë përpjekjeve tuaja në luftën kundër krimit dhe përbën një ndihmesë të madhe për ju në rrugën drejt BE-së”, ka deklaruar komisioneri belg, gjatë takimit të djeshëm. Hysni Burgaj dhe komisioneri i përgjithshëm i Policisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, pasditen e djeshme nënshkruan Planin e Përbashkët të veprimit për vitet 2009-2010 ndërmjet strukturave policore të Republikës së Shqipërisë dhe atyre të Mbretërisë së Belgjikës. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Burgaj theksoi se, nënshkrimi i këtij plan-veprimi, që vjen pas implementimit me sukses të planit të veprimit 2007-2008, konsiston në mbështetjen me trajnime të specializuara dhe në shkëmbimin e eksperiencës dhe përvojës më të mirë mes policisë Belge dhe asaj Shqiptare. Kjo ka si qëllim forcimin e kapaciteteve të policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme. Komisioneri i Përgjithshëm i Policisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, Koekelberg, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet policive të të dy vendeve theksoi se, vetë prania e tij këtu mjafton për të vënë në dukje rëndësinë që Belgjika i jep Shqipërisë në luftën kundër krimit. Gjatë takimit u tha se oficeri i kontaktit shqiptar në Belgjikë tashmë është në proces akreditimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›