E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentohen tre automjete, rrezikohet jeta e 50 fëmijëve

Jeta e 50 fëmijëve është rrezikuar seriozisht dje gjatë një aksidenti automobilistik, në afërsi të Rinasit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se tre automjete, mes tyre një autobus, janë përfshirë në një aksident automobilistik në afërsi të Rinasit, ndërsa është rrezikuar jeta e 50 fëmijëve. Sipas të dhënave nga grupi hetimor i policisë rrugore, aksidenti ka ndodhur mesditën e djeshme, në momentin kur një mjet ka tentuar të parakalojë. "Nga kjo lëvizje e gabuar e drejtuesit, mjeti ka goditur një autoveturë me targa të Tiranës. Autovetura ka devijuar për të shmangur ndonjë aksident fatal, çka ka sjellë një tjetër përplasje me autobusin", detajuan uniformat blu të grupit hetimor nga Policia Rrugore e Tiranës. Burimet policore detajuan më tej se një veprim i tillë ka nxjerrë nga rruga autobusin me targa të Shkodrës, i cili po udhëtonte me 50 fëmijë që po lëviznin nga Tirana drejt Shkodrës. Pas këtyre veprimeve, fëmijët dhe të gjithë personat në automjete fatmirësisht nuk kanë pësuar asnjë dëmtim serioz. Për aksidentin janë shoqëruar në polici drejtuesi i autobusit dhe i autoveturës me targa të Tiranës, ndërsa është larguar nga vendi i ngjarjes drejtuesi i mjetit tjetër. Grupi i ekspertizës së policisë arriti në përfundimin se veç shpejtësisë së mjeteve dhe parakalimit të gabuar, shkak është bërë edhe terreni i lagësht, si pasojë e shiut të rënë në orët e paradites. Policia tha se ende vazhdon puna për dokumentimin e plotë të këtij aksidenti, që për pak do të kthehej në një tragjedi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›