E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre doganierë dhe një polic hetohen për kontrabandë

Një shijakas arrestohet për kontrabandë, ndërsa vihen nën hetim tre doganierë dhe një ndihmëskontrollor policie për shpërdorim detyre. Dje, një 30-vjeçar nga Shijaku, është arrestuar në flagrancë nga seksioni i Luftës Kundër Krimit Ekonomik Durrës për veprën penale të kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë në bashkëpunim. Muharrem Deliallisi u kap në flagrancë, pasi kishte kaluar traun doganor dhe territorin portal me një sasi prej 240 litrash vaj automjetesh, si dhe disa mallra të tjera të futura në vend kontrabandë. Në cilësinë e provës materiale u bllokuan dhe u sekuestruan nga policia dy automjete të tipit "Mercedes Benz" pa targa, telefonat celularë që zotëronte Deliallisi, si dhe sasia e mallrave kontrabandë të gjetura gjatë kontrollit të automjeteve. Grupi hetimor nisi procedurat për të zbardhur personat e tjerë të implikuar në këtë import që kishte anashkaluar procedurat doganore. Burimet policore sqaruan se nga veprimet e para hetimore për këtë rast rezultoi se kishte vend për hetimin edhe të punonjësve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në turn, në kohën që mallrat e Deliallisit janë futur dhe kanë kaluar Doganën e Durrësit. Sipas burimeve policore, procedimi penal në gjendje të lirë për akuzën e shpërdorimit të detyrës filloi ndaj Pëllumb Peçit, ndihmëskontrollor në Komisariatin e Policisë së Portit të Durrësit dhe për tre doganierët e degës së Doganës Durrës, Skënder Ajdini, Naim Smoqi dhe Arben Krasta. Prokuroria dyshon se këta persona nuk kanë ushtruar kontrakontroll në automjetet e Deliallisit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›