USAID: Shqipëria, përparim në pagesat e taksave online
Drejtuesit më të lartë të projektit amerikan USAID kanë shprehur vlerësimet pozitive për sa i përket sistemit online të taksave që po aplikon aktualisht Shqipëria. Gjatë takimit të zhvilluar dje me Kryeministrin e vendit Sali Berisha, drejtori i USAID-it në Shqipëri, Eduard Landau, si dhe përfaqësues të Programit Prag të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit për Shqipërinë, theksuan në mënyrë të veçantë përparimin e dukshëm të Shqipërisë në zgjerimin e shërbimeve elektronike për biznesin. Në takim merrte pjesë dhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uithers. Sipas Landau, "tashmë, gjithnjë e më shumë biznese në Shqipëri, mbi 1000 të tilla, po paguajnë taksat në mënyrë elektronike". Ndër të tjera, përfaqësuesit e Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit vlerësuan progresin e Shqipërisë lidhur me prokurimet elektronike. Vlera e tenderëve që po prokurohen në mënyrë elektronike arrin mbi 150 milionë dollarë. Në takim u diskutua në mënyrë të veçantë për vlerësimin e projekteve të reja të qeverisë për fazën e dytë (2008-2010) për mbështetjen financiare të programeve për modernizmin e administratës. Këto programe synojnë përfshirjen sa më të gjerë të komponentit elektronik në dhënien e lejeve dhe licencave, të cilat ndikojnë në përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së shërbimit. Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti, janë regjistruar 15 mijë biznese të reja, nëpërmjet një shërbimi që ofrohet në një ditë.