Durrës, kapen dy trafikantë të pistoletave jugosllave
Dy tregtarë dhe trafikantë armësh në pranga. Dyshimi për vendin e destinacionit të armëve është tregu vendas, si dhe trafikimi drejt Jugut të Italisë, ku veprojnë bandat e emigrantëve keqbërës. Megjithatë, do të jenë hetimet e mëtejshme që do të zbardhin plotësisht origjinën, që paraprakisht dyshohet të jetë Serbia, si dhe destinacionin. Përtej trafikut shtetëror të armëve dhe municioneve, që u vu në qendër të vëmendjes së opinionit publik pas shpërthimit të Gërdecit, në vend funksionojnë dhe trafikantët e vegjël, që sigurojnë të ardhura nga tregtia dhe trafikimi i armëve dhe municioneve. Gjatë një operacioni të koduar "Shkozeti", që u zhvillua natën mes së mërkurës dhe së enjtes, në lagjen periferike të Durrësit, u bllokua një arsenal armësh, i destinuar për shitje. Kanë qenë agjentët e antitrafiqeve të paligjshme që organizuan operacionin që u shtri dhe në Mamurras. Si rezultat u arrestuan në flagrancë të dy zotëruesit e arsenalit që u sekuestrua. Fatmir Ramaj, 41 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues i përkohshëm në Durrës, dhe Fisnik Gashi, 26 vjeç nga Mamurrasi, janë arrestuar nga agjentët e policisë nën akuzën e trafikimit të armëve të zjarrit dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Fatmir Ramaj në lagjen 14, Shkozet të Durrësit , u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale pistoleta të reja të tipit "Zastava" dhe "Beretta", automatik, krëhëra me fishekë, granata difensive dhe fishekë automatiku dhe pistoletash. Përveç tyre, në shtëpinë e bashkëpunëtorit të tij, Fisnik Gashi në Mamurras, u gjetën dhe u sekuestruan një pushkë 20-she dhe një krëhër me 20 fishekë. Mes armëve të gjetura në Shkozet ishin dhe tetë pistoleta të reja gati për shitje. Rasti ka nxjerrë në pah vazhdimësinë e trafikut të armëve mes vendeve të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Ndërkaq një destinacion i mundshëm përveç tregut ilegal vendas është dhe fqinji ynë perëndimor, Italia.