E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet, ministritë që nuk i realizojnë

Qeveria nuk po arrin të realizojë investimet publike aty ku ato janë më të domosdoshme. Të dhënat zyrtare tregojnë se nivelet më të ulëta të investimeve janë në sektorët prioritarë të ekonomisë, si infrastruktura, arsimi, shëndetësia, por edhe turizmi. Shifrat e realizimit për katërmujorin janë gati qesharake. Sot ka ministri që kanë realizuar vetëm 1 për qind të investimeve të parashikuara dhe këto janë ministritë më të rëndësishme në vend. Sipas të dhënave rezulton se Ministria e Punëve Publike ka arritur të kryejë për periudhën janar-prill vetëm 13.6 për qind të investimeve vjetore me fonde të brendshme dhe 10.9 për qind të atyre me fonde të huaja. Për këtë vit, Ministria e Punëve Publike ka në dispozicion nga buxheti i shtetit 73.3 miliardë lekë, ose gati 30 për qind të totalit të shpenzimeve buxhetore. Për 4 muajt e parë ka arritur të shpenzojë pak më shumë se 8 miliardë.

Arsimi

Por shifra e realizimit të investimeve është edhe më e ulët në arsim. Ministria e drejtuar nga Pollo ka arritur të realizojë vetëm 6.6 për qind të investimeve me fonde të brendshme dhe vetëm 1.3 për qind të projekteve me fonde të huaja. Ky sektor konsiderohet si një nga më të rëndësishmit për rritjen ekonomike në afatgjatë të vendit. Ndaj jo më kot Banka Botërore, por edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i kanë kërkuar qeverisë shqiptare të rrisë mbështetjen financiare për arsimin. Gjatë këtij viti Ministria e Arsimit përfiton nga buxheti i shtetit 37.2 miliardë lekë, duke u renditur institucioni i dytë për nga madhësia e fondeve.

Shëndetësia

Kur shumica e spitaleve shqiptare janë në gjendje të mjerueshme dhe studimet tregojnë se nevojiten fonde shumë të mëdha për të normalizuar këtë sektor, qeveria shqiptare ka luksin të mos realizojë edhe ato fonde që ka në dispozicion. Sipas të dhënave, për periudhën janar-prill, Ministria e Shëndetësisë ka kryer vetëm 2.1 për qind të investimeve me financim nga jashtë dhe 3.3 për qind të atyre që financon qeveria nga buxheti i shtetit. Ministria e Shëndetësisë ka në dispozicion për këtë vit nga buxheti i shtetit 24.4 miliardë lekë.

Investimet

Në këtë pikë, pyetja që shtrohet është a do të arrijë qeveria të realizojë mbi 1 miliard dollarë investime që ka parashikuar në fillim të vitit apo shifra do të rrudhet. Realizimi i investimeve me fonde të huaja për katër muajt e parë është pak më shumë se 8 për qind. Qeveria ka pranuar se një sërë kredish të parashikuara për investime në buxhetin 2008, nuk mund t‘i marrë dot më dhe ka vendosur zëvendësimin e tyre me fonde të brendshme nga buxheti shtesë për të mos lejuar tkurrjen e shifrës 1 miliard dollarë. Por nëse ministritë vazhdojnë me këto ritme investimesh, atëherë ky mision bëhet i pamundur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›