E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, dy shefa policie nën akuzë

Dy krerë të Policisë së Beratit po ndiqen penalisht nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe kryerjes së veprimeve arbitrare. Burime të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat bënë të ditur se ka nisur hetimi dhe ndërkohë dosja ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë për dy oficerët e drejtorisë, Mehmet Rrapo dhe Enton Softa. Sipas përfaqësuesit të organit të akuzës, prokurorit të rrethit Xhemal Saliasi, pas hetimeve paraprake nga ana e prokurorisë, dy oficerët janë gjetur fajtorë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe kryerjen e veprimeve arbitrare.

Hetimi ndaj tyre ka filluar një vit më parë. Historia nisi pas denoncimit të shtetases Jonida Qejvani. Vajza që denoncoi është shoqëruar disa herë në polici nga sektori i luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, pasi akuzohej për ushtrim prostitucioni në Belgjikë, gjë të cilën ajo e ka hedhur poshtë kategorikisht. Kur 22-vjeçarja u kthye nga Belgjika, ajo u thirr nga të dy oficerët në Komisariatin e Beratit. Në padinë e saj ndaj tyre, vajza tregoi se ishte thirrur disa herë në komisariat dhe ishte detyruar të pranonte se kishte prostituuar në Belgjikë, si dhe të bënte denoncim të rremë për një person, si tutor.

Nga burimet e organit të akuzës që kanë nisur hetimin ndaj dy funksionarëve, ish-shefit të Antitrafikut Rrapo dhe inspektorit Softa, mësohet se gjatë shoqërimit të 22-vjeçares, ata kanë vepruar në kundërshtim me ligjet, pasi e kanë mbajtur atë për rreth 22 orë në komisariat, madje në fillim për shkelje të paligjshme të kufirit dhe më pas në cilësinë e deklarueses. Procesverbalet e këtij shoqërimi nuk janë dorëzuar asnjëherë pranë prokurorisë, çka ka bërë që tashmë të zbulohen në sirtarët e Zyrës së Antitrafikut.

"Dosja ka mbërritur pak ditë më parë në gjykatë, ku është vendosur masa e sigurisë me detyrim paraqitjeje", thotë prokurori Saliasi. Ai sqaron se sipas nenit 234, të Kodit të Procedurës Penale prokuroria kërkoi arrest në burg, por gjykata ka vendosur masën e sigurisë me detyrim paraqitjeje, duke bërë që dy oficerët e policisë, edhe pse nën hetim, të vazhdojnë detyrat dhe funksionin e tyre në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat, ku Rrapo është shef i Sektorit Antikorrupsion dhe Softa i Antitrafikut.

Akuza konsiderohet e sajuar nga dy oficerët e policisë, të cilët tashmë janë të detyruar të paraqiten te kolegët e tyre të Policisë Gjyqësore sa herë që t‘u kërkohet. Duke folur për gazetën, ata thanë se "gjithçka është tendencioze, pasi ne kemi zbatuar detyrën, duke u mbështetur te ligjet". Mehmet Rrapo dhe Enton Softa janë të bindur se gjithçka do të vërtetohet shumë shpejtë dhe ata do të dalin të pafajshëm.

Ky nuk është rasti i parë kur oficerë të lartë të Drejtorisë së Policisë së Beratit përballen me akuza për shpërdorim detyre. Ish-drejtori i Policisë së Qarkut Berat, Ilirian Dida, është dënuar nga gjykata për këtë akuzë, ndërkohë që është hetuar edhe për një vepër më të rëndë penale, atë të vrasjes me paramendim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›