E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentohet Artan Bushati, trajneri i Kombetares U-21



SHKODËR – Artan Bushati, trajneri i Shpresave të Shqipërisë, është bërë protagonist i një aksidenti rrugor të ndodhur dy net më parë në qytetin e Shkodrës. Mësohet se Bushati ka pësuar dëmtime të lehta në trup dhe është dërguar menjëherë në spitalin e qytetit, ku u është nënshtruar mjekimeve. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, mësohet se është nisur menjëherë ditën e djeshme në drejtim të Shkodrës, ku ka parë nga afër trajnerin Bushati.
Aksidenti
Policia e Shkodrës njofton se më datë 4 mars, rreth orës 22:00, në aksin rrugor Bushat-Shkodër, në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, automjeti tip “Benz”, me targë SH 4353 E, që drejtohej nga Artan Bushati, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë të tensionit të lartë. Një prej figurave më të shquara të drejtimit të futbollit në vend mësohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga. Menjëherë pas aksidentit, Artan Bushati është dërguar në spital për të marrë ndihmën e parë, ndërsa mësohet se ditën e djeshme gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe nuk paraqet asnjë rrezik për jetën. Burime nga Spitali i Shkodrës njoftojnë se ditën e djeshme ka qenë për të parë gjendjen e tij nga afër dhe vetë kreu i futbollit Shqiptar, Armando Duka.
Kush është Artan Bushati?
Artan Bushati, që prej nëntorit të vitit 2005 është në krye të Kombëtares U-21. Më parë ai ka qenë dhe trajner i ekipit të Elbasanit, ekip të cilin Bushati e nxori nënkampion të vendit. Gjatë pesë viteve që Kombëtarja Shpresa drejtohet prej tij, ka arritur rezultate pozitive dhe ka nxjerrë një sërë lojtarësh, të cilët i kanë shërbyer dhe ekipit Kombëtar të Shqipërisë. Gjatë karrierës së tij Bushati ka të regjistruar emrin dhe në drejtimin e Kombëtares në njërën prej ndeshjeve më historike të vendit tonë, miqësoren mes ekipit të Milanit.

Tenton të vrasë me kaçavidë 20-vjeçarin, pranga Cankës
TIRANË - Tenton të vrasë më thikë 20-vjeçarin, arrestohet autori. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy net më parë, në afërsi të shkollës së mesme “Sadik Salaveci” në Yrshek të Tiranës, ku është tentuar vrasja me thikë e një 20-vjeçari. Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar në flagrancë Jaçe Lulzim Cankën, 18 vjeç, banues në Yrshek Tiranë, i dyshuar si autori i plagosjes së ndodhur pranë shkollës së mesme në këtë zonë.
Policia tha se arrestimi i të riut është bërë sepse dyshohet se dy ditë më parë, rreth orës 15:00, në afërsi të shkollës së mesme “Sadik Stavaleci” në Yrshek, ka tentuar të vrasë me kaçavidë, duke goditur në pjesën e trupit, 20-vjeçarin Edmond Gëzim Sada, banues në Yrshek, Tiranë. Uniformat blu thanë se i plagosuri u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, ndaj të arrestuarit është referuar dosja penale në prokurori për akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë”.
Gjendet kufoma e një 60-vjeçari, mister shkaqet

FIER – Gjendet kufoma e një 60-vjeçari, ende mister shkaqet e vdekjes. Policia e Fierit njofton se ka gjetur ditën e djeshme kufomën e një personi në një kanal pranë rrugës Fier-Seman, i cili më vonë u identifikua si Kastriot B., 56 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Fier. Fillimisht u dyshua se viktima ishte pasojë e një aksidenti rrugor, por kjo tezë u hodh poshtë nga policia, e cila deklaroi se në trupin e viktimës nuk janë gjendur shenja dhune. “Në vijim të informacionit, ku rreth orës 07:00 të mëngjesit të së premtes, në rrugën Fier-Seman, rreth 50 metra në perëndim të kalesës së rrugës hekurudhore, në kanalin anësor të kësaj rruge u gjet një kufomë e seksit mashkull, rreth 55-60 vjeç, i paidentifikuar. Nga veprimet e para hetimore të kryera nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së qarkut rezultoi se kufoma i përket shtetasit Kastriot B., i vitlindjes 1954, lindur në Elbasan dhe banues në Fier, si dhe nga këqyrja e kufomës nuk u konstatuan shenja dhune”, - thuhet në njoftimin e Policisë së Fierit. Ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar në morgun e qytetit për t’iu nënshtruar autopsisë ku pritet të dalin të dhënat e sakta lidhur me vdekjen e tij.
Policia eviton grabitjen, largohen autorët
DURRËS – Një grabitje në tentativë e sipër është mundur të evitohet nga ndërhyrja në kohë e uniformave të policisë, por pa mundur të arrestohen autorët. Grabitësit kanë përfituar nga errësira dhe janë larguar duke braktisur dhe makinën me të cilën lëviznin. Burime policore bënë të ditur se autorët e kishin vjedhur këtë mjet për të kryer grabitjen e dyqanit. Sipas të dhënave paraprake mësohet se vjedhja po kryhej përmes mjeteve prerëse të qepenit të mbyllur të dyqanit që ndodhet në Lagjen Nr. 6 të qytetit bregdetar dhe është pikë e tregtimit me shumicë e pakicë të produkteve ushqimore. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili është duke hetuar për të identifikuar autorët e ngjarjes dhe arrestimin e tyre.

Nis hetimi për Imamin Duka, SHISH e merr në pyetje

Nis hetimi për imamin Kastriot Duka, i deportuar nga Kosova si person non grata. Mësohet se menjëherë pas hyrjes në territorin shqiptar Duka është shoqëruar nga policia në zyrat e saj ku është marrë në pyetje rreth aktivitetit të tij nga oficerët e SHISH-it dhe Antiterrorit. Ende nuk bëhen të ditura detaje rreth këtij hetimi, megjithatë agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror mësohet të jenë interesuar mbi burimet e financimit të veprimtarisë se pretenduar të bamirësisë nga imami Kastriot Duka.
Imamit i janë kërkuar sqarime edhe mbi aktivitetin e tij në Skenderaj të Kosovës, arsyen pse ishte vendosur me banim në këtë zonë, kontaktet dhe lidhjet që ka me organizma jashtë vendit dhe një sërë hetimesh të tjera rreth doktrinës në të cilën ai e bazon besimin dhe veprimtarinë e tij fetare. Ndërkohë nga ana tjetër e kufirit, autoritetet e policisë së Kosovës si dhe agjentë të forcave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, kanë zhvilluar kontrolle në xhaminë e Marinës në Skenderaj si dhe kanë verifikuar vendbanimin e imamit për gjetjen e provave të dyshuara komprometuese.

Ekstradohet nga Finlanda i kërkuari për vrasje

TIRANË – Interpol Tirana ka ekstraduar ditën e djeshme nga Finlanda Robert Maskajn, i dënuar me 13 vite burg nga Gjykata e Vlorës për vrasjen e Anesti Koraqit. Sipas njoftimit nga Interpol Tirana, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, datë 09.05.2005, e ka dënuar Maskajn me 13 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”. Burimet policore pohojnë se më datë 07.09.2003, në qytetin e Vlorës, Robert Maskaj ka goditur me armë të ftohtë (thikë) Anesti Koraqin. Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti rastësor të krijuar për shkak të bllokimit të rrugës nga ana e viktimës Anesti Koraqi, i cili ka qenë duke drejtuar automjetin e tij. Koraqi është dërguar menjëherë në spital, ku si pasojë e plagëve të marra ka vdekur pas një ore. “Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Helsinkin, më datë 10.11.2008 u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë tëi shtetasit Robert Skënder Maskaj”, - bën të ditur zëdhënësja e Policisë së Shtetit. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

6 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›