E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, 90 kërkesa për mbrojtje për shkak të dhunës



Thimi Samarxhiu

TIRANË – Dhuna në familje përplaset në dyert e komisariateve të kryeqytetit. Për një periudhë 2 mujore janë regjistruar të paktën 90 kërkesa për mbrojtje për shkak të presioneve dhe konflikteve. Pjesa dërrmuese e rasteve iu takojnë femrave, të cilat kërkojnë mbrojtje ligjore nga shteti, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë anëtarët e tjerë të familjes. Në pamundësi për t’u divorcuar, për shkak të një sërë arsyesh, shumë femra durojnë dhunën e ushtruar nga bashkëshortët e tyre për vite të tëra duke heshtur. Por, rastet e denoncimeve dhe kërkesave për mbrojtje flasin qartë se fenomeni ka marrë përmasa shqetësuese në kryeqytet.
Statistikat
Që nga 1 janari 2010 deri sot, Policia e Tiranës ka plotësuar dhe ka dërguar në Gjykatën e Tiranës plot 90 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se 77 urdhra mbrojtje janë lëshuar për femrat që janë dhunuar nga bashkëshortët e tyre, ndërsa pjesa tjetër u takon të moshuarve, të cilët kërkojnë mbrojtje. Një numër ky që është më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë, në të cilën shënoheshin rreth 50-60 kërkesa për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes. Sipas të dhënave mësohet se femrat e dhunuara që u drejtohen komisariateve të policisë për të kërkuar mbrojtje janë kryesisht rreth moshës 25-40 vjeçe. Sipas të njëjtëve burime mësohet se në shumicën e rasteve familjet vijnë nga zona të thella të vendit dhe niveli i arsimit të tyre është i ulët.
Denoncimi në Polici dhe pendesa në gjykatë
Fillimisht është komisariati i policisë ai që regjistron kallëzimin e bërë nga shtetaset e dhunuara dhe më pas përpilon një kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, të cilën e dërgon në gjykatë, por në këtë moment nis dhe “pendesa” e tyre. Pendesë kjo e shtyrë nga kërcënimet ose presionet.
Edhe pse gratë e dhunuara marrin guximin t’i drejtohen policisë për të kërkuar marrjen në mbrojtje nga ana e tyre, në momentin kur çështja mbërrin në Gjykatë, disa prej tyre tërhiqen nga pretendimet e para, duke e detyruar gjykatën që ta pushojë çështjen. Sipas të dhënave nga Gjykata e Tiranës mësohet se gati gjysma e kërkesë-padive të mbërritura nga policia pushohen, pasi paditëset, në këtë rast femrat e dhunuara, nuk paraqiten në proces dhe detyrimisht padia pushohet.
Edhe pse jozyrtarisht, bëhet e ditur se gratë e dhunuara tremben nga reagimi i bashkëshortëve të tyre dhe zgjedhin pushimin e padisë. Por nuk përjashtohet dhe mundësia e presionit që ushtrohet nga ana e bashkëshortëve, të cilët i detyrojnë ato që të heshtin dhe të kërkojnë pushimin e padisë së ngritur po prej tyre.

Modeli i vendimit
Gjykatat, në momentin e pranimit të kërkesë-padisë lëshon një sërë urdhrash ndaj të paditurit. Më poshtë po paraqesim një vendim të Gjykatës së Tiranës, por duke fshirë emrat e personave të përfshirë në këtë proces.

- Vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes të dhënë nga Gjykata e Rrethit gjyqësor Tiranë me Vendimin Nr.5...
- Ky urdhër mbrojtje përmban këto masa:
Të urdhërohet i padituri Y të mos kryejë vepër të dhunës në familje ndaj paditëses V;
- Të urdhërohet i padituri Y të mos kërcënojë, ngacmojë, apo të kontaktojë më me paditësen V.
- Të urdhërohet i padituri Y të mos i afrohet paditëses V përtej distancës 300 m.
- Të urdhërohet i padituri Y të mos shkojë, të mos hyjë apo të qëndrojë në banesën e shtetases V.
- Shkelja e këtij urdhri mbrojtjeje përbën vepër penale në kuptim të nenit 320 të Kodit Penal.
- Një kopje e këtij urdhri mbrojtje t’i dërgohet Zyrës Shërbimeve Sociale pranë Njësisë Bashkiake Nr.... Tiranë.
- Një kopje e këtij urdhri mbrojtjeje t’i dërgohet Komisariatit Nr.... Tiranë.

Raporti i të dërguarit të OKB-së

Vetëm pak ditë më parë në Shqipëri ishte i pranishëm raportuesi i OKB-së, Filip Alston. Pas qëndrimit të tij disaditor në vendim tonë dhe vizitimit të disa qyteteve, Alston përpiloi një raport lidhur me situatën në vendin tonë. Përveç problemit të gjakmarrjes, të cilit raportuesi i OKB-së i kishte kushtuar një hapësirë të madhe, një vend të rëndësishëm zinte dhe dhuna në familje. Sipas tij, ky fenomen ishte tejet alarmant dhe shifrat ishin shumën të larta. Gjatë fjalës së tij përpara gazetarëve, Filip Alston i rekomandoi qeverisë shqiptare të ndërmarrë programe për parandalimin e dhunës në familje.

Pranga 54-vjeçarit, bllokohen 35 kg Cannabis
SHKODËR – Pranga 54-vjeçarit nga Shkodra, iu gjetën 35 kilogramë Cannabis në shtëpi. Policia bën të ditur se bëhet fjalë për Gjovalin Ashtën nga fshati Blerian i Shkodrës. Pas informacioneve të marra, agjentët e Antidrogës kanë shkuar në shtëpinë e Ashtës, ku kanë kryer dhe një kontroll, gjatë të cilit kanë zbuluar dhe sasinë e drogës, e cila ishte fshehur në katër thasë. Pas arrestimit të tij, grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje ka nisur menjëherë punën për të zbuluara origjinën dhe destinacionin përfundimtar të kësaj sasie droge. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale dhe hetimore, ndërsa materialet në ngarkim të të ndaluarit Ashta i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Shkodrës për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”.

Shkëndija elektrike djeg Drejtorinë Arsimore

GJIROKASTËR – Digjet Drejtoria Arsimore e Gjirokastrës, shkaku dyshohet të jetë një shkëndijë elektrike. Sipas Policisë së Gjirokastrës, njoftimi për rënien e zjarrit është bërë rreth orës 06:00 të mëngjesit në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së qarkut Gjirokastër. Zjarri ka rënë në katin e dytë të kësaj godine, në zyrën e inspektorëve të kualifikimit dhe trajnimit. “Si rezultat i rënies së zjarrit në këtë godinë në zyrën e inspektorëve janë djegur plotësisht të gjitha materialet, kompjuterët, tavani si dhe një pjesë e çatisë”, - thuhet në njoftimin e Policisë së Gjirokastrës. Zjarri është mundur që të shuhet vetëm pas rreth 30 minutash duke shpëtuar zyrat e tjera dhe krejt godinën. “Grupi hetimor, pasi kreu të gjitha veprimet e duhura në vendngjarje, ka përcaktuar se shkaku i rënies së zjarrit është një shkëndijë elektrike në zyrën e inspektorëve”, - thuhet në njoftimin e Policisë së Gjirokastrës.

6 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›