Gërdeci, dëshmia e ish-inspektorit: “Rojet më penguan të inspektoja fabrikën”
Laureta Rryçi
Fabrika e Gërdecit është inspektuar nga institucione shtetërore, por rezulton se rojet private nuk kanë lejuar inspektimin e ambienteve të brendshme të saj. Ndryshe nga ç’kishim dëgjuar disa herë radhazi nga deklarimet e një prej të pandehurve, Dritan Minxollit, se shteti ka qenë i lirë të inspektonte fabrikën, një dëshmitar i akuzës ka përgënjeshtruar gjithçka. Edhe pse me detyrë inspektor rendi i zonës, edhe pse kishte dëgjuar për një rënie zjarri, sërish këto nuk i kanë mjaftuar rojës private të fabrikës për të lejuar inspektimin. Të paktën kështu dëshmoi dje Mustafa Dine, ish-inspektori i Komisariatit të Vorës, ku për herë të parë deklaroi se i kishte sinjalizuar eprorët e tij për incidentet në Gërdec, por askush nuk kishte marrë masa për më tej.
Deklarata
Në fabrikën e Gërdecit nuk ishin punësuar vetëm banorë të zonës, por edhe shumë ish-ushtarakë të prekur nga reforma, midis tyre dhe ish-punonjës policie. Një ish-punonjës policie, i quajtur Mustafa Dine, tashmë i papunë, ka punuar në këtë fabrikë për gati dy muaj. Ky ishte i vetmi që foli dje nga 13 dëshmitarë që ishin thirrur nga gjykata dhe që nuk iu përgjigjën thirrjes. Ai dëshmoi dje para trupit gjykues se si ra në dijeni të kësaj fabrike, çfarë detyre kishte gjatë kohës që ishte inspektor rendi dhe a kishte bërë ndonjëherë kontroll në këtë vend. Po kështu, dëshmitari iu përgjigj edhe disa pyetjeve të prokurorisë, që kishin të bënin me pasjen ose jo dijeni të futjes së personave të tjerë në fabrikë, me lëvizjet e barutit dhe me mënyrën se si mbahej në magazinat ku ai punonte. “Kam punuar si inspektor rendi në rajonin e Vorës deri në korrik 2007. Kisha për detyrë të mbuloja zonën e Gërdecit. Për çdo inspektim ne raportonim te shefi. Gjatë kohës që ne kontrollonim zonën jam vënë në dijeni se në vendin ku ka qenë reparti ushtarak, bëheshin punime, të cilat drejtoheshin nga disa amerikanë. Ky territor ruhej dhe ishte i rrethuar. Kemi tentuar disa herë së bashku me shokët që të futemi brenda, por rojet nuk na kanë lejuar. Ne donim të shihnim se çfarë bëhej në atë vend, pasi kishim urdhër. Mbaj mend që dy ose tri javë para se unë të lirohesha kam raportuar te shefi im se në Gërdec kishte rënë zjarr në orët e vona të mbrëmjes. Ndërkohë kujtoj se jam liruar në korrik 2007”, - dëshmoi Dine.
Punësimi
Më pas dëshmitari ka rrëfyer pjesën kur ishte punësuar në fabrikë. “Në javën e parë të korrikut të vitit 2007 u interesova për punë në fabrikë, pasi nga banorë të zonës mësova se ishte hapur një e tillë për demontimin e fishekëve. Për punë unë kontaktova me Begator Manin, i cili ishte përgjegjës i sigurisë për ruajtjen e objektit. Ky bisedoi me Dritan Minxollin, i cili më punësoi. Punova në magazinën e fabrikës. Mbaj mend se në këtë magazinë mbaheshin kuti baruti në mënyrë të çrregullt. Kam punuar deri më 5 shtator 2005, pasi u mbyll puna. Gjatë kohës që isha në punë nga magazina nuk ka lëvizur asnjë kuti baruti. Ndërsa kujtoj se ishin tri ndërtesa që mbanin barut në një largësi rreth 300 metra nga pjesa tjetër e fabrikës, brenda territorit të saj. Gjatë kohës që kam punuar në fabrikë ishte Dritan Minxholli, një përgjegjës tjetër me emrin Vangjel dhe një person i shkurtër që shpesh jepte urdhra. Por, më kujtohet që disa herë ka ardhur në magazinën ku mbahej baruti edhe një person i gjatë me mustaqe, për të cilin unë mendoj se ishte amerikan, edhe pse nuk di gjuhë të huaja”, - përfundoi dëshminë e tij ish-inspektori.
Deklarata e Minxollit
“Përse ditën e shpërthimit kishte tonelata me barut”
Dritan Minxolli flet sërish para gjykatës për ish-administratorin e kompanisë “SAC”, amerikanin Patrik Henri. Kësaj radhe, ish-drejtori i punishtes së demontimit në Gërdec ka hedhur dritë për çështjen e barutit, ndoshta për të zbardhur se përse ditën e shpërthimit më 15 mars ndodheshin qindra tonelata të depozituara brenda në repart. Minxolli tha se ishte urdhëruar nga Patrik Henri që magazina e barutit të zhvendosej nga ambientet e jashtme në brendësi të punishtes. Sipas të pandehurit, amerikani Patrik Henri e kishte urdhëruar që të grumbullohej sasia e barutit sepse do të mbërrinin disa ekspertë belgë për ta blerë. Minxolli theksoi se Patrik Henri ishte shprehur se grumbullimi i barutit brenda ambienteve nuk përbënte rrezik dhe se Patrik Henri nuk e kishte parashikuar se çfarë do të ndodhte pas kësaj. Sipas dëshmive të dhëna deri tani, fabrika e demontimit ka shërbyer si vend pune për të gjithë ata që gjendeshin keq nga ana ekonomike. “Fabrika e vdekjes” tashmë komentohet nga dëshmitarët dhe nga specialist të tjerë, të cilët mundohen të gjejnë përgjegjësitë dhe shkakun e shpërthimit. Por, në të vërtetë, deri tani në gjyqin kundër 28 të pandehurve, akuzuar për shkakun që solli këtë tragjedi, kanë dëshmuar vetëm punonjës që në një mënyrë a një tjetër kërkojnë të “hakmerren” për atë që ndodhi. Atë që ndodhi më 15 mars 2008, herë pas here e komenton edhe vetë drejtori i fabrikës, Dritan Minxholli. Ky i fundit, pas përfundimit të pyetjes së dëshmitarëve, gati në çdo seancë bënë një deklaratë me qëllim vetëmbrojtjen dhe kalimin e përgjegjësisë te amerikanët Rod Tejlor e Patrik Henri. Ka qenë i pranishëm pothuaj në të gjitha seancat gjyqësore dhe është shprehur për funksionin që ka pasur, si dhe për urdhrat që merrte. Në qendër të deklarimit që ai bëri dje para gjykatës, ishte shitja e barutit dhe urdhrat që merrte nga Patrik Henri për të siguruar këtë mall tepër fitimprurës. Sipas Minxhollit, Patrik Henri është shprehur se baruti ka shumë interes për të, për shkak të fitimit të madh. “Puna në fabrikë ka nisur në maj të vitit 2007 sipas referencës teknike tepër të saktë. Ndërkohë që për ngritjen e fabrikës puna filloi në muajin qershor 2007. Gjatë kësaj kohe është punuar edhe për pajisjen e fabrikës me mjetet që do të bënin demontimin e fishekëve të kalibrave të ndryshëm. Për këtë pjesë dua të theksoj se gjithçka është kryer nga amerikanët. Në krye të punës ishin Patrik Henri dhe Rod Tejlor. Henri, si një ndër administratorët e kësaj fabrike, bënte inspektimet e barutit në bazë të të gjitha rregullave. Dua të sjell në kujtesë të trupit gjykues se Patrik Henri më urdhëronte për çdo punë që kryhej në fabrikë dhe veçanërisht për barutin. Ai më ka thënë se në magazinat që mbahej baruti duhej të vendosja fuçi 200 litroshe me ujë, kasa si dhe mjete të tjera sigurie. Gjithashtu Henri më urdhëroi që barutin, në bazë të rregullave, duhej ta paketoja në kuti që peshonin deri në 20 kg. Ai kishte ndër mend që këtë barut ta tregtonte jashtë vendit sepse pretendonte të nxirrte fitime të mëdha. Po kështu, Henri më tha se do të sillte një specialit nga Belgjika për të parë barutin e më pas do t’ua shiste. Specialisti erdhi dhe ata ranë dakord të blinin duke përcaktuar edhe çmimin. Patrik Henri dhe Rod Tejlor filluan ta shisnin barutin në Belgjikë vetëm në muajt tetor – nëntor 2007. Dua gjithashtu të them se administratori amerikan Henri më ka siguruar se në fabrikë nuk ka asnjë lloj rreziku. Unë jam i bindur se Patrik Henri nuk e ka parashikuar dhe as dëshiruar një gjë të tillë”, - përfundoi deklarimet e tij Minxolli.
6 Mars 2010