Zjarri në pallat, plagoset lehtë një e moshuar
TIRANE-Një grua e moshuar ka marrë plagë të lehta, si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer në orët e para të ditës së djeshme në Tiranë. Ngjarja ndodhi në orën 00:10, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në afërsi të shkollës “Pjetër Budi”, prapa Gjykatës së Faktit në kryeqytet. Burime nga policia thanë se zjarri kishte rënë në banesën e 87-vjeçares Amalire Vrelli, në katin e katërt të një pallati, ku ajo jetonte vetëm. Si pasojë e flakëve të papritura, është djegur një dhomë, pikërisht ambienti ku ishte shtrirë për të fjetur e moshuara, e cila është plagosur lehtë dhe është dërguar menjëherë në spital nga forcat e policisë, të lajmëruara nga fqinjët. Policia e Komisariatit Nr.2 menjëherë pas njoftimit mbërriti në vendngjarje bashkë me një makinë të repartit zjarrfikës, duke bërë të mundur lokalizimin e flakëve dhe duke ndalur përhapjen e tyre. Nga hetimet e para të kryera gjatë ditës së djeshme, mësohet se shkaku i zjarrit ka ardhur nga një shkëndijë elektrike, që më pas dyshohet se është ndihmuar edhe nga qiri, i cili ishte lënë ndezur gjatë natës nga 87-vjeçarja Vrelli, për të mos ndenjur në errësirë.