Ina Rama me krerët e Task-Force: Dua rezultate kundër korrupsionit
TIRANE – Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama prezantoi dje drejtuesit e gjashtë Zyrave Hetimore Antikorrupsion që ngrihen në rrethe pas krijimit të një njësie të tillë në Tiranë në vitin 2007. Në këtë takim në Prokurorinë e Përgjithshme, duke iu referuar edhe progres-raportit të BE-së, Kryeprokurorja kërkoi ashpërsimin e luftës kundër korrupsionit, duke thënë se duhen rezultate konkrete dhe më të larta në këtë drejtim. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, pas ngritjes së Zyrës Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, është vendosur ngritja e zyrave të tilla në rrethe, konkretisht në Fier, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Korçë dhe Durrës. “Njësitë e reja Task Forcë kanë kompetencë hetimin e veprave penale në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit të përcaktuara në një Memorandum të përbashkët me të nënshkruar më 6 maj 2009 nga gjashtë institucione shqiptare: Prokurorja e Përgjithshme, Ministri i Brendshëm, Ministri i Financave, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Drejtori i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive. Kompetenca lëndore e hetimit nga zyrat Task-Force përfshin veprat penale në tatime, dogana, shoqëritë tregtare, falimentet, falsifikimet e ndryshme, mashtrimet, abuzimet me detyrën dhe veprat penale në fushën e korrupsionit. Prokuroria tha se drejtuesit dhe punonjësit e këtyre njësive, u zgjodhën bazuar në eksperiencën dhe rezultatet e arritura më parë, duke pasur përparësi eksperienca në hetimin e rasteve të krimit ekonomik dhe korrupsionit. Drejtues të Task-Force në Prokurorinë e Përgjithshme u emërua Arben Kraja ndërsa pjesë e saj është edhe prokurorja Anila Leka. Në Durrës, drejtues është emëruar prokurori Dritan Rreshka i cili ka në varësi një prokuror dhe tre oficerë gjyqësorë, në Vlorë është emëruar drejtues Dorian Tafili, i cili ka në varësi dy prokurorë dhe dy oficerë, në Fier është emëruar drejtuese Alma Kola, e cila ka në varësi një prokuror dhe dy oficerë, në Shkodër është emëruar drejtuese Arta Marku, e cila ka në varësi dy prokurorë dhe dy oficerë. Në Korçë është emëruar drejtues Elison Sadiku, i cili ka në varësi një prokuror dhe dy oficerë, në Gjirokastër është emëruar drejtues Arben Pasho, i cili ka në varësi dy prokurorë dhe dy oficerë. Në ceremoninë e djeshme nga të gjitha institucionet që kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit, ishte i pranishëm vetëm përfaqësuesi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë. tr.so