I sëmuri mendor rreh gruan dhe vjehrrin
KAVAJE-Një i sëmurë mendor është ndaluar dje nga policia e Kavajës, pasi në shenjë hakmarrje për divorcin ka rrahur dhe kërcënuar me jetën ish-bashkëshorten dhe vjehrrin. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Çetë të Kavajës, por është denoncuar në polici mëngjesin e djeshëm nga Lindita D., ish-bashkëshortja e Fatos Osmanit, e cila u divorcua pasi mësoi se ai ishte i sëmurë psikik. Osmani, edhe pse kishte disa muaj që ishte divorcuar me bashkëshorten, është nisur nga vendi ku banon, nga Shkozeti i Durrësit, dhe ka shkuar në fshatin ku banon familja e ish-gruas, me qëllim për t’u hakmarrë ndaj divorcit. Burime nga policia thanë se Fatos Osmani, 41 vjeç, ka filluar të qëllojë me gurë ish-bashkëshorten dhe babain e saj dhe i ka kërcënuar me jetë për t’i vrarë. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka kryer shoqërimin e 41-vjeçarit. Ndaj Lindita D, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Policia liroi pas disa orësh të sëmurin mendor, e ndërkohë deklaroi se ky person paraqet rrezikshmëri shoqërore, pasi është i sëmurë psikik me kartelë të grupit B.