E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentohet kampioni i peshëngritjes

ELBASAN/ Ngjarja 1 orë pas mesnate trondit qytetin. Policia: Shkak shpejtësia. Pulaku pa patentë

Kampioni i Europës në peshëngritje, përplaset në mes të qytetit të Elbasanit.

Goditja e fortë e dy makinave ka shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e 5 të tjerëve, mes tyre dhe 17-vjeçarit Hysen Pulaku. Aksidenti tragjik u shënua rreth orës 01:30, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Dinamos”. Sipas policisë, mjeti “Golf 4” me targë C 652 IT që drejtohej nga Hysen Pulaku, kampioni i Europës U-17, në peshëngritje, ishte me shpejtësi të madhe. Ai është përplasur fuqishëm me makinën “Daeëoo”, me targa të huaja, në të cilën udhëtonte një familje që kthehej nga dasma, e drejtuar nga 50-vjeçari Bedri Venari. Si pasojë e këtij aksidenti të rëndë mbeti i vdekur në vend Thanas Koçi, 56 vjeç, si dhe u plagosën rëndë bashkëshortët Bedri dhe Anila Venari, 50 dhe 39 vjeçe, si dhe djali i tyre 5-vjeçar. Përplasja ka shkaktuar zhurmë të madhe në orën e vonë të natës, pasi ndodhi në mes të qytetit, pak metra larg Drejtorisë së Policisë së Elbasanit. Të parit që i është dhënë ndihma e parë ka qenë Hysen Pulaku. Ai është transportuar menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit nga dy të rinj, të cilët janë ndodhur rastësisht në vendin e aksidentit. Ndërsa fëmija 5 vjeç së bashku me prindërit e tij janë transportuar pak më vonë drejt spitalit po nga kalimtarë të rastit. Në mjetin “Daeëoo” mbeti viktimë Thanas Koçi. Për të nuk ka qenë i mundur shpëtimi nga vdekja, pasi shasia e kishte goditur atë në trup. Ndërsa pasagjerja që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit, Anila Venari, kishte mbetur e bllokuar nga këmbët për shkak të deformimit total të pjesës anësore të mjetit. Si pasojë ishte e pamundur nxjerrja e menjëhershme e saj nga makina, për shkak se llamarina i kishte bllokuar këmbët. Edhe pse policia mbërriti menjëherë në vendngjarje, ka qenë e pamundur nxjerrja e saj për ta dërguar në spital. 39-vjeçarja shpeshherë kalonte gjendje të fikëti, ndërsa qytetarë që ndodheshin në vend mundoheshin ta ndihmonin atë. Edhe Thanas Koçi qëndronte pa jetë i zhytur në llamarinën e mjetit jo më shumë se 30 centimetra larg nga gruaja, e cila ishte ende gjallë. Menjëherë policia ka kërkuar ndihëm e shërbimit zjarrfikës, i cili me të mbërritur në vend nisi punën për të nxjerrë gruan 39-vjeçare. Por nxjerrja e saj jashtë mjetit ka ndodhur vetëm pas një ore e gjysmë. Në gjendje të rëndë shëndetësore, gruaja është dërguar menjëherë në spitalin e qytetit. Ndërkohë, trupi i pajetë i 56-vjeçarit është nxjerrë pas gati 3 orësh nga mjeti dhe më pas është çuar në morgun e qytetit.
Sipas policisë, aksidenti i rëndë dyshohet të ketë ndodhur për shkak të shpejtësisë së madhe që po udhëtonin dy mjetet. “Golf”-i pas përplasjes përfundoi në trotuar, ndërsa dëmtoi edhe dy makina tip “Benz” të parkuara anës rrugës. Sipas policisë, drejtuesi i mjetit tip “Golf”, Hysen Pulaku, qarkullonte pa patentë, ndërsa drejtuesi i makinës tjetër, Bedri Venari, së bashku me gruan, djalin dhe një të afërmin e tyre ishin duke u kthyer nga një dasmë. Policia dyshon se shkaktari i aksidentit ka qenë automjeti tip “Golf” me targa të huaja, që drejtohej nga peshëngritësi i Sport Klub “Elbasanit”, Hysen Pulaku. Sipas verifikimeve të para, adoleshenti, peshëngrites ka qenë duke ngarë automjetin me shpejtësi tej normave të lejuara dhe në një moment pakujdesie ka humbur kontrollin, duke u përplasur me makinën tjetër ku udhëtonte viktima dhe çifti i bashkëshortëve me djalin e tyre 5- vjeçar. Mësohet se bashkë me 17-vjeçarin Pulaku po udhëtonte edhe një bashkëmoshatar i tij, i cili është jashtë rreziku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›